Laura Konda Zëri i Amerikës30-11-2007
Të hënën, më 25 nëntor, filloi Dita Ndërkombëtare kundër Dhunës në Familje. Në këtë kuadër, Parlamenti i Shqipërisë sot zhvilloi një sesion të posaçëm, të organizuar nga Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, me pjesëmarrjen e grave, anëtare dhe përfaqësuese të shoqërisë civile, insitucioneve politike, organizatave artistike dhe kulturore, për të diskutuar mbi çështje që kanë të bëjnë me dhunën familjare dhe reformat e nevojshme për parandalimin e saj. Për të biseduar më hollësisht për këtë çështje, Zëri i Amerikës kishte të ftuar për një intervistë telefonike nga Tirana, në emisionin televiziv “Ditari”, Kryetaren e Parlamentit të Shqipërisë, Jozefina Topalli.
Zëri i Amerikës: Zonja Topalli, sa shqetësues është ky fenomen për shoqërinë shqiptare dhe e ka penguar evidentimin e tij ndjenja turpit për të zbuluar të vërtetën, tek shumë prej viktimave?
Jozefina Topalli: Në fakt, është një fenomen që është rritur në shqetësimin e tij, për përmasat e tij. Jemi të vetëdijshëm, në fakt, se dhuna në familje nuk është vetëm një dukuri shqiptare, por kjo kurrë ne nuk mund të na bëjë për të gjetur një justifikim, as për të heshtur dhe për të mos u përballur me një situatë të tillë. Në fakt, në historinë tonë, në asnjë dokument që përmend kodet e identitetit tonë kulturor si komb, nuk është as i shkruar dhe ai i thënë, që dhuna i zgjidh çështjet me të cilat përballet krenaria e familjes sonë, por realiteti është, që ndryshe nga vendet e tjera, apo nga statistikat, rezulton se një ndër tre gra aprovon se ka pësuar dhunë në familjen e saj; ndoshta këtu në Shqipëri, vitet e fundit kemi një numër më të lartë rastesh dhe natyrisht, që përballë kësaj situate, duke gjykuar se kjo nuk mund të shihet si një çështje private, ne nuk mund të heshtim. Ndoshta prej kohësh do të ishte duhur të bëhej një tubim i tillë parlamentar, duke e konsideruar këtë si një pjesë të një fushate sensibilizimi. Unë mendoj se sensibilizimi është e para, preventimi së bashku me sensibilizimin dhe pas këtyre, duhet të mendojmë patjetër, se secilat janë rrugët, cilat janë instrumentat dhe cilat janë mekanizmat që ne mund t’u ofrojmë si shoqëri, si shtet, si qeveri, për të bërë të mundur, që e para të mos konsiderohet si një çështje private, të mos konsiderohet si një çështje tabu dhe që thirrjet, britmat, vuajtjet, dhuna që ushtrohet brenda mureve të familjes, të mos mbesin të izoluara aty brenda familjes. Në fakt, ajo që duhet të ishte familja dhe shtëpia, vendi i mbështetjes dhe vendi i qetësisë dhe i paqes, shumë herë kthehet në një vend ku ushtrohet brutalitet dhe nganjëherë ka edhe akte mizore. ...Dhe të gjitha këto ndodhin në sytë e fëmijëve e kjo është pjesa edhe më e rëndë, edhe më e dhimbshme. Ne jemi nëna dhe ne e kuptojmë se çfarë traume pëson fëmija, çfarë mbetet në mendimin e tij dhe në ndërgjegjen e tij: një dhunë, që në fakt atë e ndjek gjatë gjithë jetës dhe që nuk është as zgjidhje, as në identitetin tonë dhe kurrë e pranishme.
Zëri i Amerikës: Të qëndojmë pak tek masat për ndalimin e këtij fenomeni. Kushtetuta e Shqipërisë ka tashmë prej gati dy vjetësh, një ligj që ndalon dhunën në familje. Si është zbatuar ky ligj?
Jozefina Topalli: Në fakt, në Kushtetutë ka një kapitull të veçantë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ku mbrojtja e të drejtave të fëmijëve dhe e grave është e garantuar nga ana konstitucionale. Por është një gjë ligji dhe diçka tjetër realiteti. Ne të Parlamentin e Shqipërisë, me iniciativën e shoqërisë civile dhe me firmat e 20 mijë qytetarëve kemi kaluar ligjin kundër dhunës në familje. Ai është një ligj, që mendoj se duhet konsideruar si një hap i parë pozitiv, por unë ndoshta do të thoja se kjo kërkon një ndërhyrje për t’u përmirësuar, për t’u dhënë agjencive të ndryshme dhe organeve të zbatimit të ligjit mundësinë gjatë këtij mekanizmi, e para për ta parandaluar; por e dyta, kur ndodh krimi, ai duhet konsideruar krim, kështu siç është dhe duhet të marrë dënimin e merituar. Ndoshta këtu duhen edhe masa më të rrepta dhe më të forta.
Zëri i Amerikës: Zonja Kryetare, dhuna në familje shpeshherë e ka burimin tek problemet ekonomike, varfëria, pasiguria për jetën, dëshpërimi që shpeshherë shndërrohet në zemërim. Në këtë aspekt, çfarë ndihmash mund të ofrojë shteti për familjet me të ardhura të pakta, apo të papunët?
Jozefina Topalli: Natyrisht, që situata ekonomike-sociale ka konseguencat e veta. Por nga analiza dhe nga statistika rezulton, se ku ka varfëri më të madhe, ka edhe dhunë fizike më të madhe. Aty ku familjet, ndoshta nuk janë në situatë të rëndë ekonomike, dhuna psikologjike është më e fortë dhe e egër, kështu që duhet parë me shumë kujdes. Natyrisht, reformat që bëhen, ato në arsim, të cilat e bëjnë të mundur që fëmijët të mos mbeten jashtë shkollës; reformat që bëhen në ekonomi, në fushën fiskale, rritjet e rrogave, të pensioneve, kanë natyrisht, kreditin e tyre në këtë aspket. Në fund të fundit, mendoj se është edhe një çështje kulture: dhuna, vrasja, është kultura e vdekjes dhe detyra jonë, është që të përballemi me të, t’i japim një lloj sigurie nënave, grave, t’i japim atyre kurajo që të flasin dhe të thyejnë heshtjen.
Zëri i Amerikës: Çfarë ndihme ofron shteti për viktimat, sa i realizueshëm ju duket krijimi i një fondi të caktuar, për krijimin e qendrave, apo strehëve për viktimat e dhunës familjare?
Jozefina Topalli: Me sa jam unë në dijeni, ka një qendër strehimi për gratë që vijnë nga trafiku. Natyrisht, shifrat e fundit që vijnë nga ushtrimi i dhunës në familje, bëjnë që të mendojmë për një strategji të re dhe sot në Parlamentin shqiptar, Kryeministri i Shqipërisë ka marrë një iniciativë, që ky vit të konsiderohet si viti i luftës kundër dhunës në familje, gjë që do të thotë vendosja e një prioriteti për ndërtimin e një strategjie, marrjen e masave konkrete dhe gjetjen e mekanizmave të duhur, për t’u përballur me këtë fenomen.
Zëri i Amerikës: Zonja Topalli, ju falënderoj për intervistë dhe ju uroj sukses në këtë nismë.
Jozefina Topalli: Faleminderit juve.
Abonnieren
Kommentare zum Post (Atom)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen