Pastaj biseda filloi të merrte ngjyrën e një lloj polemike midis kryetarit të Kryesisë së KQ të LKJ, dr. Stipe Shuvarit, dhe minatorëve grevistë. Dr. Shuvari u përpoq të përgjigjej lidhur me disa kërkesa të minatorëve. Pasi shpjegoi se nga Kushtetuta e vitit 1974 nuk është hequr dispozita sipas së cilës krahinat janë element konstitutiv i Federatës, shtoi se projekt ligji mbi pensionimin e parakohshëm të arsimtarëve duhet të kalojë nëpër faza të tjera procedurale dhe se për miratimin ose mosmiratimin e tij është kompetent Kuvendi i Kosovës. Edhe për sa u përket dorëheqjeve, tha se nuk mund të bëhen në këtë formë.
Shoku Ali, - that dr. Shuvar –posa të kthehem në Beograd do t`ia përcjell kërkesën tuaj. Por dorëheqja është e drejtë e tij , kurse shkarkimi është diçka tjetër. Ai është kuadri juaj. Ku ju ka dëshpëruar – nuk e di. Por, ai vetë duhet ta shohë dhe me ndërgjegje të marrë vendim. Për dorëheqjen e Husamedinit do të vendosë Komiteti Komunal i LK të Prishtinës, kurse Rrahman Morina s`ka një muaj që ka ardhur në këtë funksion, por në qoftë se ju ka quajtur nacionalistë, ka gabuar, sepse askush në këtë vend nuk ka të drejtë që klasën punëtore ta quajë nacionaliste.
Sa i përket ardhje sime këtu, më keni thirrur dhe kam ardhur. Do të vij përsëri, nëse më ftoni dhe nëse ka nevojë. Mirëpo, për shumë çështje nuk mund të vendos unë – pavarësisht nga funksioni që kam…
Një nga kërkesat tuaja është që të legalizohet lista e organizatorëve të tubimeve protestuese të nëntorit 1988. T`ju them të drejtën, ne në komitetin Qendror rë LKJ nuk kemi kurrfarë listash dhe as që i kemi kërkuar. Nëse dikush ka, le t`i japë. Ç`është e vërteta, gazetat kanë shkruar, por nuk di në ç`bazë. Ja, këtu është edhe shoku Remzi (Kolgeci) dhe mund t`ju thotë:
Remzi Kolgeci aty për aty tha se nuk ka organizatorë dhe as që ekziston farë liste. " e pse janë shkarkuar Azem Vllasi e Svetislav Dolasheviq, -tha ai –kjo ka të bëjë me përgjegjësinë objetive, e cila tash po kërkohet edhe nga unë ".
Islam Kurti i ndërhyri në fjalë kryetarit me këto fjalë:
Si po thoni ju, shoku kryetar, nuk e di këtë e nuk e di atë, kurse për Azemin po ditkeni?!
Për Azemin unë këtu po i paraqes qëndrimet e Komitetit Qendror, pa marrë parasysh se ç`mendoj unë – u përgjigj dr. Shuvar. -Kërkesa juaj që udhëheqjen në Kosovë ta zgjedhë populli, është e drejtë. Mua më kanë kritikuar që kam thënë se udhëheqësit nuk duhet të ndërrohen në mitingje. E këtu s`është fjala për miting. Komiteti Krahinor është kompetent për zgjedhjen e udhëheqjes së vet. Ne, kur kemi kërkuar përgjegjësi nga anëtarët e këtij forumi, nuk kemi përmendur asnjë emër. Ne vetëm e kemi theksuar përgjegjësinë që ka ky komitet.
Në vazhdim dr. Shuvar u pajtua me vërejtjen e minatorëve se nuk duhet lejuar afirmimin e udhëheqësve me ambicie lideriste kombëtare. " Kjo është e dëmshme për Lidhjen e Komunistëve " tha ai. Pastaj iu kundërvu kërkesës së minatorëve që rreth pozitës së shqiptarëve në Jugosllavi, pra edhe në Kosovë, të ndërhyjë Organizata e Kombeve të Bashkuara. Mos u hidhëroni në mua, -tha dr. Shuvar-por ta kapërceni Jugosllavinë, të mos keni besim në të, nuk është mirë. Ky është shteti juaj, i përbashkët me kombet e kombësitë e tjera. Ju keni të drejtë të protestoni për çdo gjë që prek në interesat tuaja, të protestoni kundër padrejtësive që ju bëhen juve dhe të tjerëve.
Në fund, dr. Shuvar u bëri apel minatorëve që të dalin nga miniera, " sepse-si tha ai-të gjithë jemi të brengosur ".
Samstag, 17. November 2007
Abonnieren
Kommentare zum Post (Atom)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen