Samstag, 17. November 2007

“E DINË MINATORËT ÇKA KËKOJNË...”

Greva u paralajmërua si grevë e urisë. Mirëpo, që ditën e parë, u organizua dërgimi i ushqimit – kuptohet, brenda mundësive reale. Njëkohësisht, organet inxhiniero-teknike formuan ekipe të specialistëve për aftësimin e pusores së veriut si dalje e dytë rezerve. Pro, aftësimi i pusores së veriut ishte punë me shumë rreziqe për shkak të kushteve klimatike, vjetërsisë dhe dëmtimit nga akulli. Kjo detyrë, duke e ditur peshën e saj, u krye në mënyrë sekrete ngase ekzistonte mundësia e panikut. Poashtu, u aktivizua çeta e shpëtimit.
Përkundër tentativave dhe përpjekjeve që minatorët të bindeshin që të dilnin nga nëntoka, dita e parë e grevës kaloi me shtimin e numrit të minatorëve që ishin të hedhur në grevë. Tani numri i tyre arrinte në mbi 1300 veta.
Minatorëve e Stari-Tërgut, që në fillim të grevës, iu bashkuan edhe ca pensionistë – ish-ideologë , si Hashim Parduzi, i cili, në atë moment, pat deklaruar se "po shkon të vdesë me shokë të vet". Pati kërkesa që minatorëve në minierën e "Trepçës" t’u bashkoheshin edhe shumë punëtorë të tjerë nga mbarë Kosova, porminatorët e "Trepçës" e refuzuan këtë solidarizim të këtillë – për shkak të rrezikut. Përjashtim bënë me pranimin e dy shokëve që erdhën si përfaqësues të Kryqit të Kuq nga Sllovenia.
Minatorët donin të ishin vetëm. Në gjendjen në të cilën gjendeshin në atë çast, ata donin të sakrifikonin vetë, të flijoheshin vetë po të ishte nevoja. Për më tepër, minatorët u bënë apel edhe nxënësve, studentëve, punëtorëve e qytetarëve të tjerë që t’i kthehen punës e mësimit se ata vetë janë të vendosur të flijohen për interesat e përgjithshme kombëtare.
Por, që në fillim të grevës, shumë individë e delegacione donin të zbrisnin në zgafelle, të takoheshin me minatorët, ndoshta edhe të bashkoheshin me ta ose t’ua mbushnin mendjen që të dilnin nga zgafellja dhe të bisedohet jashtë zgafelles për kërkesat e tyre. Në një rast, siç i kujtohet Avdi Ukës, Burhani paska thënë:
-E dinë minatorët çka kërkojnë. Ata, ndoshta, janë të vetmit që tani kanë të drejtë.
-Kjo përkrahje para të tjerëve – thotë sot Avdi Uka – edhe më shumë e shtoi vendosmërinë e minatorëve dhe besimin në realizimin e kërkesave të tyre.

Keine Kommentare: