Samstag, 17. November 2007

MINATORËVE TË “ TREPÇËS “ IU BASHKUAN EDHE SHUMË MINATORË E PUNËTORË TË TJERË

Minatorët, të lodhur, të uritur e të rraskapitur, arritën në Prishtinë rreth orës 16 dhe hynë në pallatin e sporteve " Boro e Ramizi ". Pjesëmarrësve të marshit, të cilët kishin ecur 10 orë në këmbë, pa pushur, iu ofruan nga një sandviç e ujë, por ata ishin kategorikë dhe nuk e pranuan ushqimin.
Në shenjë të përkrahjes e të solidarizimit, minatorëve të Stari-Tërgut iu bashkuan edhe punëtorë të tjerë të kombinatit " Trepça ", e në marshin protestues në rrugë dhe në pallatin e sporteve " Boro e Ramizi " në Prishtinë iu bashkuan minatorët e Kishnicës, të Novobërdës, të Hajvalisë e të Goleshit si dhe punëtorët e kombinatit ndërtimor industrial " Ramiz Sadiku ", të Kosovatransit e të ndërmarrjeve të tjera.
Me këtë rast, shumë minatorë u paraqitën në foltoren e pallatit të sporteve " Boro e Ramizi " duke i artikuluar kërkesat e qëndrimet e veta në mënyrë të qartë e koncize para Kaqusha Jasharit e Remzi Kolgecit dhe opinionit të gjerë të Kosovës, të ish-Jugosllavisë e të botës.
Minatorët Avdi Uka, Tahir Salihu, Esat Jusufi etj. kërkuan që të përkrahet udhëheqja e atëhershme e Kosovës, të ndërpritet fushata dhe sulmi i Serbisë kundër udhëheqjes së Kosovës, në veçanti kundër disa udhëheqësve të saj, të mos pranohen dorëheqjet kolektive e as ndërrimet me presion dhe, në veçanti, të mos lejohet cenimi i Autonomisë së Kosovës.
Minatorëve të tubuar iu drejtuan me këtë rast Kaqusha Jashari e Remzi Kolgeci, të cilët, parimisht, u pajtuan me një pjesë të madhe të kërkesave të minatorëve dhe premtuan angazhimin e tyre personal dhe të organeve të Kosovës për tejkalimin e situateës së imponuar politike…
Më vonë, këto premtime u harruan, u mohuan dhe nuk u përfillën fare.
Pasi u dhanë hollësisht arsyetimet për ndërprerjen e tubimit nga ana e udhëheqjes së ndërmarrjes së minierës " Trepça " të Stari-Tërgut, të kombinatit " Trepça " dhe të udhëheqëses së Konferencës Aksionale të LK Juliana Gashiq, por edhe të të tjerëve, tubimi u ndërpre dhe minatorët e Stari-Tërgut e pjesëmarrësit e tjerë të tubimit, rreth ores 22, u kthyen në vendbanimet e tyre.

Keine Kommentare: