Samstag, 17. November 2007

“SITUATA ËSHTË PËRPLOT RREZIQE…“

Raif Dizdareviq

Biseda me kryetarin e Kryesisë së RSFJ, Raif Dizdareviq, u zhvillua në kabinetin e kryetarit të Kryesisë së Kosovës, Remzi Kolgecit, pas një pritjeje prej afër katër orësh. Vonesa u bë ngase në afërsi të kabinetit po mbahej mbledhja e Kryesisë së Kosovës dhe e Kryesisë së Komitetit krahinor të Lk të Kosovës – pikërisht rreth situates politike në Kosovë – krijuar në grevat e minatorëve të " Trepçës " , të cilat ishin shprehje e revoltës ndaj fushatës antishqiptare të serbëve e të malazezëve në Serbi, në Kosovë, por edhe në disa vise të tjera të ish-Jugosllavisë.
Biseda filloi rreth orës një pas mesnate. Përpos Raif Dizdareviqit e Ramzi Kolgecit e neve që duhej t`i përfaqësonim minatorët dhe kombinatin "Trepça ", në bisedë marrin pjesë: gjeneralët serbë Petar Graçanin e Stevan Mirkoviq, anëtari i Kryesisë së Kosovës Bajram Selani e shumë bashkëpunëtor të tyre.
Bisedën e hapi Remzi Kolgeci, i cili i informoi të pranishmit mbi situatën e ndërlikuar në mbarë Kosovën " për shkak të grevave në minierat e " Trepçës " dhe minierat e tjera të Kosovës, të cilat e kanë paralizuar tërë ekonominë dhe shumë fusha të tjera. Po ashtu ai bëri me dije se ka presion për shpalljen e masave të jashtëzakonshme dhe se "është në pyetje çasti kur duhet ta nënshkruaj pëlqimin ".
Për situatën në minierë, e në veçanti në kombinatin " Trepça ", folën Aziz Abrashi, Burhan Kavaja, Bahredin Osmani e të tjerët. Posaçërisht u theksua se shëndeti i minatorëve është në gjendje kritike, se në minierë gjenden 1.300 minatorë, se aty janë të deponuara sasi të mëdha të lëndëve eksplozive dhe se rreziqe të mëdha u kanosen minatorëve. Me këtë rast edhe një herë u bënë me dije të pranishmit se minatorët nuk po pranojnë të dalin jashtë zgafelles pa u plotësuar në tërësi kërkesat e tyre.
Një pjesë e kërkesave ishin pranuar nga dy kryesitë e Kosovës dhe më vonë do të shkonin në procedurën e Kuvendit. Tani minatorët kërkonin dorëheqjen e Rrahman Morinës, të Ali Shukriut dhe të Husamedin Azemit, të cilët ishin në funksione të larta partiake dhe të cilët, sipas minatorëve, kishin kontribuar dukshëm për ashpërsimin e situatës politike dhe të marrëdhënieve ndërnacionale ngase u vunë në funksion të një politike, e cila, në esencë, ishte antishqiptare.
Raif Dizdareviq e vlerësoi këtë takim si tejet të rëndësishëm dhe u pajtua tërësisht me vlerësimet e prezantuara duke theksuar se situata " është përplot me rreziqe për minatorët e ‘ Trepçës ‘, për popullin e Kosovës dhe për tërë Jugosllavinë ".
Situatën e përshkruar e mori me seriozitetin më të madh dhe premtoi se ‘ për situatën e krijuar në " Trepçë " e në Kosovë dhe për kërkesat e minatorëve do të bisedojë personalisht me dr. Stipe Shuvarin ", atëherë kryetar i Kryesisë së Komitetit Qendror të LKJ (përfaqësues i Kroacisë). " Po ashtu, -tha R. Dizdareviq-do të bisedoj edhe me Ali Shukriun në lidhje me kërkesën për dorëheqjen e tij ".
Përpos të tjerash, zoti Dizdareviq, tha:
Po të kishit kërkuar nga unë që të vij në minierë, do të vija menjëherë. E po ta kërkonit dorëheqjen time, edhe këtë do ta bëja menjëherë.
Në bisedë e sipër, zoti Dizdareviq foli edhe për disa lidhje emocionale me " Trepçën , ngase ishte shpallur minator nderi i " Trepçës ". Pastaj shfaqi mirënjohjen e tij për angazhimin e personelit inxhiniero-teknik të " Trepçës që deri në atë moment nuk kishte asnjë viktimë në minierë.
Sikur vetëm një minatorë të humbte jetën në minierë-tha ai-kjo do të ishte tragjike. Presim që me përpjekje plotësuese të bëni çmos që të mos kemi viktima. Meqenëse kjo gjendje u krijua për shkaqe politike, jam i bindur se do të kemi fuqi që ta tejkalojmë këtë situatë në interes të minatorëve, të popullit shqiptar të Kosovës dhe të komeve e të kombësive të tjera të Jugosllavisë.

Keine Kommentare: