Gjendja e rëndë politike, marrëdhëniet e acaruara ndërnacionale, fyerjet e popullatës shqiptare, neglizhenca dhe mosefikasiteti i organeve shtetërore e i organizatave politike – një kohë të gjatë ishin tema të diskutimeve të shumta në të gjitha vendet e punës, e sidomos në punishtet e nëntokës në minierën e Stari-Tërgut.
Është për t`u impresionuar se sa mire ishin të informuar minatorët për të gjitha rrjedhat politike në Kosovë, në Serbi dhe në ish-Jugosllavi. Minatorët ishin posaçërisht të interesuar të marrin shpjegime nga udhëheqja e tyre se çfarë do të ndërmerrej nga udhëheqja e atëhershme aktuale e Kosovës ndaj fushatës agresive të hegjemonistëve serbë ndaj popullit shqiptar dhe Autonomisë së Kosovës.
Në atë kohë, prodhimi ditor në minierë kishte filluar të shënonte rënie drastike ngase minatorët ishin të brengosur për fatin e tyre dhe të mbarë popullit shqiptar. Shkrimet e shtypit dhe informacionet e radios e të televizionit shkaktonin huti me interpretimin e tyre të çështjeve rreth ndërrimeve kushtetuese, politikës së kuadrove, të ashtuquajturave shpërngulje të serbëve e të malazezve, tubimeve e " jogurt-revolucionit " të tyre. Shtëpitë informative informonin e komentonin sipas interesave të tyre politike.
Minatorët erdhën në përfundim se shumë çështje kyçe me peshë kombëtare, me vetëdije apo pa vetëdije, do të ngelnin pa u zgjidhur drejt dhe se po imponoheshin zgjidhje që do ta cenonin seriozisht pozitën dhe subjektivitetin e Kosovës. Minatorët mendonin se me ndërmarrjen e një aktiviteti në momentin aktual, siç ishte marshi protestues, do t`i artikulonin kërkesat e popullit shqiptar dhe do t`i " zgjonin " nga amullia organet shtetërore, politike, inteligjencien e institucionet shkencore dhe udhëheqjen e tyre duke u dhënë përkrahje të plotë në mënyrë që ata të kishin kurajë që, me mjete politike e argumente shkencore, t`u kundërvihen qëllimeve hegjemoniste serbe dhe veprimeve shkatërrimtare të tyre.
Samstag, 17. November 2007
Abonnieren
Kommentare zum Post (Atom)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen