Në vend që të eliminoheshin dobësitë dhe të frenohej agresiviteti i serbo-malazezve, Komiteti Krahinor i Lidhjes së Komunistëve të Kosovës dhe Kryesia e tij, pas afro tre muajve, miratoi tekstin për vlerësimin e ngjarjeve të nëntorit 1988, që ishte diktat i drejtpërdrejtë i nacional-shovinistëve serbë. Sipas informatave, që disponoheshin atëherë, ky tekst ishte përgatitur në Beograd e aktivisti i Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Serbisë, Zoran Angjellkoviq, e solli në Prishtinë dhe ia dorëzoi udhëheqjes politike të Kosovës. Miratimi i këtij teksti, me disa ndryshime të vogla, u bë më 11 shkurt 1989. Kjo ishte, praktikisht, akuzë e rëndë ndaj intelektualëve shqiptarë, minatorëve e punëtorëve, por edhe ndaj mbarë popullit shqiptar.
Në këto qëndrime e vlerësime, pos të tjerash, thuhet:
"Organizatorë dhe instruktorë janë individët nga radhët e strukturave politike dhe ekonomike, të cilët, në arenën e hapët, i kanë shprehur qëllimet nacionaliste, separatiste e kundërrevolucionare...Tërë kohën janë brohoritur dhe kanë dominuar që të mos ndryshohet kushtetuta e vitit 1974... Nuk është arritur të sigurohet mbrojtja dhe siguria e tërësishme, e drejta dhe liria e qytetare dhe ekonomike serbe e malazeze... Shpërngulja po bëhet me intensitet të pazvogëluar... Shkaqe të tubimeve masive dhe të demonstratave janë ndërrimet e kuadrove në Komitetin Krahinor të LK të Kosovës..." e të tjera.
Të gjitha vlerat në tekstin e miratuar ishin me koncesion që të devalvoheshin këto ngjarje dhe t’u jepej karakter armiqësor e kundërrevolucionar e që ishin në kundërshtim me deklaratat e dhëna më parë nga ana e udhëheqjes më të lartë politike e shtetërore të Kosovës.
Në vend që t’i përkrahnin kërkesat e minatorëve, që u përkrahën nga mbarë populli shqiptar, disa kuadro shqiptare (kryesisht organet, organizatat dhe institucionet krahinore), për shkaqe krejtësisht karrieriste, për mungesë të kahes politike apo të paaftësisë profesionale, iu nënshtruan direktivave të servuara nga Serbia, pranuan në mënyrë të drejtpërdrejtë që të humbet subjektiviteti i autonomisë së Kosovës dhe mundësuan që politika e Serbisë të dominonte në të gjitha segmentet e jetës në Kosovë.
Këto qëndrime dhe politika që pasoi më vonë nga regjimi i Serbisë dhe i ish-Jugosllavisë si dhe intoleranca e kuadrove shqiptare në Federatë dhe në Republikën e Serbisë e në Kosovë bënë që të rritet akoma më shumë revolta e minatorëve dhe e mbarë popullit shqiptar të Kosovës.
Abonnieren
Kommentare zum Post (Atom)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen