Minatorët edhe më herët ishin rraskapitur ngase punonin në kushte të rënda dhe të ballafaquar me situatën e rëndë politike në Kosovë. Greva i gjeti edhe në gjendje të vështirë shëndetësore dhe psikike. Por kjo nuk ndikoi aspak në bindjet e tyre që të bëjnë grevë dhe të qëndrojnë deri në realizimin e kërkesave dhe të synimeve të tyre.
Por, që në fillim të grevës pati raste të paraqitjes së rraskapitjeve fizike, të çrregullimeve shëndetësore e madje edhe të sëmurjeve serioze. Kjo situatë kërkonte që të merreshin masa urgjente për sigurinë e mbrojtjes shëndetësore të minatorëve. Në fillim të grevës u formuan ekipe mjekësore dhe u dërguan në horizontet e minierës për të ofruar ndihmë.
Ndër të parët që ofruan ndihmë mjekësore në minierë ishin: dr. Nexhmi Zeqiri, dr. Agron Balaj, dr. Mehmet Shala, dr. Sadik Shaqiri, dr. Nebih Musliu, dr. Bajram Rexhepi, dr. Bajram Preteni, dr. Nexhat Miftari, dr, Adem Ademi, dr. Faik Bllata, dr. Sinan Prekazi, dr. Ferid Bula, dr. Driton Gërdovci, dr. Agim Peci, dr. Muiharrem Mripa, dr. Bajram Koci, dr. Adem Haziri, dr. Zenel Kabashi, dr. Faik Hima, dr. Jusuf Telaku, dr. Faton Morina, dr. Qenan Tunuzliu, dr. Emine Preteni-Rexhepi, dr. Dallëndyshe Kumnova, dr. Orhan Kubati, dr. Eva Sadiku, si dhe Janko Oboçki, ministër i Shëndetësisë i Jugosllavisë së atëhershme. Pati edhe shumë të tjerë për të cilët nuk kemi arritur t’i gjejmë shënimet.
Meqenëse numri i të sëmurëve shtohej nga çasti në çast, u paraqit si nevojë e domosdoshme që në afërsi të minierës të formohej një punkt shëndetësor – stacionar i improvizuar. Këtë ide e dha dr. Skënder Boshnjaku, atëherë sekretar krahinor i Shëndetësisë dhe i Punëve Sociale. Për realizimin e kësaj ideje u bënë konsultime profesionale me kolegët e tij nga Enti Mjekësor i Punës në Trepçë, Spitali i Përgjithshëm në Mitrovicë, Shtëpia e Shëndetit dhe strukturat e tjera të Mitrovicës, të kombinatit "Trepça" dhe të Krahinës.
Stacionari i improvizuar shëndetësor u vendos në sallën e Këshillit të Punëtorëve të minierës. Falë angazhimit maksimal të punëtorëve të minierës, ky objekt, brenda një kohe shumë të shkurtër, u aftësua për këtë destinim.
Gjatë tërë kohës, mjekët, inxhinierët, motrat medicinale e të tjerët, që ishin në këtë shërbim, me përpjekje mbinjerëzore dhe pa pushim arritën që, gjatë grevës, të intervenojnë në 1.205 raste. Drejtpërdrejt në minierë intervenime mjekësore pati në 695 raste, në stacionar 243, në Spitalin e Mitrovicës u bënë 60 intervenime mjekësore dhe në Spitalin e Prishtinës 2.
Në stacionar të improvizuar punuan me vetëmohim edhe këto motra medicinale, infermierë e teknikë medicinalë: Sabit Mehmeti, Tafë Haliti, Xhafer Jonuzi, Sadik Zeneli, Sanije Avdiu, Hidajete Nebihu, Lutfi Gashi, Ismail Ahmeti, Hazbi Bunjaku, Ismet Haxhiu, Mon Haxhiu, Hanife Bajgora, Rexhep Rexhepi, Faik Zeqiri, Agron Zeqiri, Bajram Isufi, Sabrije Hasani, Vjollca Tahiri, Shyhrete Jusufi, Nusret Ymeri, Lutfi Peci, Naxhije Çerkezi, Shaip Boshnjaku, Hane Helshani, Tahir Ibra, Kumrije Salihu-Mala, Rukije Mërnica, Halime Kabashi, shoferi Behbi Peci dhe inxhinieret e diplomuara Mevlude Emini dhe Vjollca Meha.
Për intervenimet mjekësore në minierë dhe në stacionar u siguruan sasi të nevojshme të medikamenteve dhe të mjeteve sanitare nga Organizata Punuese, Kryqi i Kuq dhe nga ndihmat tjera humanitare që arritën nga Kosova dhe jashtë Kosovës, zonja Feride Hyseni dhe dr. Zejnullah Gruda.
Edhe Elektroekonomia e Kosovës dha kontribut të konsiderueshëm me dërgimin e shtretërve për kompletimin e stacionarit në Stari-Tërg. Merita për këto ndihma humanitare patën dr. Mehmet Begraca dhe Sadik Vllasaliu, atëherë drejtor i përgjithshëm i Elektroekonomisë së Kosovës.
Gjatë grevës shumë delegacione dhe individë e vizituan minierën dhe stacionarin e improvizuar, i cili me shumë sukses arriti të ofronte kushte për ndihmë të parë mjekësore. Falë minatorit Asllan Salihu, është ruajtur libri i evidentimit dhe i përshtypjeve të vizitorëve të minierës dhe të stacionarit.(Më vonë mësuam se zoti Salihu kishte pasur shumë peripeti lidhur me ruajtjen e këtij dokumenti, ngase shumë dokumente atëherë i kishte konfiskuar policia).
Na duket nevojshme të theksojmë se përgatitjet rreth formimit të stacionarit shëndetësor pranë minierës së Stari-Tërgut atëbotë i përkrahën udhëheqësit e strukturave shoqërore e politike të Komunës së Mitrovicës, si Behajdin Osmani e të tjerë, dhe shumë mjekë shqiptarë, por edhe serbë. (Është interesante se disa nga këta persona, më vonë, jo vetëm që e mohuan se e kishin përkrahur formimin e stacionarit të improvizuar shëndetësor, por edhe iu bashkuan vlerësimit të policisë serbe se "gjithë kjo ishte vetëm një farsë e skenarit të përgatitur më parë").
Në lidhje me masat që u ndërmorën për ruajtjen e shëndetit e të jetës së minatorëve, por edhe për pengimin e përhapjes së sëmundjeve ngjitëse, duhet të theksojmë se në raste të rënda minatorët dërgoheshin në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës, ose edhe të Prishtinës. Mirëpo, në ditën e pastë të grevës, sipas dëshmisë së Habib Isufit, udhëheqësit e Spitalit të Mitrovicës filluan t’i refuzonin t’i pranonin minatorët e sëmurë. Ky gjest i mjekëve i habiti minatorët, por edhe mbarë opinionin kosovar e më gjerë, ndërsa në Stari-Tërg krijoi vështirësi plotësuese në përpjekje për ofrimin e ndihmës shëndetësore të sëmurëve m të rëndë.
Por, minatorët grevistë me të vështirë dilnin nga zgafellja për të marrë ndihmën mjekësore në stacionar. Ata e bënin këtë kur ishin të detyruar ngase nuk ekzistonte mundësia që të merrnin ndihmën përkatëse mjekësore drejtpërdrejt në zgafelle. Kështu, bie fjala, minatori Nebih Ferizi, mezi prano të dërgohej për ndihmë mjekësore në stacionar, e kur ia zbathën çizmet, i ra edhe lëkura e këmbëve. Megjithatë, Nebihi nuk pranoi të shtrihej në stacionar dhe u kthye në zgafelle të shokët e vet – për ta vazhduar grevën. E njëjta situatë u përsërit edhe në rastin e minatorit Hasan Keqa. Edhe këtij i ra lëkura si pasojë e mbajtjes së gjatë të çizmeve në këmbë në kushte të papërshtatshme të grevës në zgafelle, por edhe ky nuk pranoi të shtrihej në stacionar dhe u kthye te shokët e vet për ta vazhduar grevën.
Megjithatë, edhe kjo situatë u tejkalua në saje të vetëmohimit të personelit mjekësor të stacionarit të improvizuar në Stari-Tërg. Ndërkaq, ekipet mjekësore dhe personeli tekniko-medicinal dhanë gjithashtu kontribut të madhme ndihmën profesionale që ofruan edhe me rastin e daljes së minatorëve nga miniera. Falë ndihmës së tyre, gjatë gjithë grevës dhe daljes nga miniera, nuk pat asnjë rast vdekjeje të minatorëve. Kuptohet se pasojat shëndetësore mbetën për shumë kohë te grevistët, për shkak të qëndrimit tetëditësh të minatorëve në thellësitë e minierës. Por ato do të jenë çështje të hulumtimeve dhe të analizave shëndetësore në të ardhmen.
Na duhet të përmendim se gjatë ofrimit të ndihmave shëndetësore në horizontet e minierës pati tentime të vetmuara të disa personave nga Federata dhe Republika e Serbisë që minatorëve t’u jepeshin medikamente qetësuese (sedativa) për eliminimin e vendosjes kolektive. Ky gjest ishte johuman ngase në këtë mënyrë do të kufizohej mundësia e të menduarit të esëllt.
Ndërkaq, mjekët dhe personeli mjekësor mbetën besnikë ndaj obligimeve të tyre dhe betimit të Hipokratit. Ata, edhe pas përfundimit të grevës, vazhduan t’i mjekojnë minatorët në stacionar. Sipas dëshmisë të minatorit Asllan Salihu, ditën e dytë të përfundimit të grevës, postëkomandanti i policisë në Stari-Tërg kishte thënë se kishte marrë urdhër që "deri nesër në mëngjes më 3 mars 1989, ta mbyllë stacionarin shëndetësor". Prandaj, të nesërmen, të sëmurët që kishin mbetur ende në stacionar, u dërguan nëpër shtëpitë e tyre.
Numri më i madh i mjekëve dhe i personelit tjetër mjekësor që ofroi ndihmë mjekësore pa kursyer energjitë e veta në stacionarin e improvizuar shëndetësor në Stari-Tërg, pas përfundimit të grevës dhe mbylljes të stacionarit, pësuan pasoja të ndryshme si: ndërrime nga vendet udhëheqëse të punës, largim nga puna, izolime e masa të tjera "ideo-politike", si praktikoheshin asaj kohe. Këto masa drastike pas grevës u morën me insistimin e nacional-shovinistëve serbo-malazezë, por edhe me "ndihmën" e disa "komitetëlinjve" shqiptarë.
Të theksojmë me këtë rast edhe se në mozaikun e këmbëngulësisë për realizimin e kërkesave të minatorëve, plot tetë ditë e net qëndruan edhe shokët e tyre në moshë të shtyrë dhe në gjendje kritike shëndetësore e të rraskapitur: Bahtir Sadiku, Nimon Istrefi, Mon Moni, Miftar Zabergja, Bilall Smrokovnica, Avdi Hajdini, Ferid Neziri, Xhafer Çela e të tjerë. Shokët e tyre i lusnin vazhdimisht që ta ndërprenin grevën dhe të dilnin nga zgafella, por ata nuk pranonin dhe mbetën në zgafelle deri në fund.
Grevat e minatorëve në minierën "Trepça" të Stari-Tërgut dhe të minierave të tjera të Kosovës ishin grevat më të gjata me kërkesat politike dhe deri atëherë të vetmet në botë, që do të mund të shënoheshin edhe në librin e Ginisit.
Drama e tetë ditëve dhe tetë netëve të kaluara në zgafelle vërtet kaloi pa viktima që në rrethana të këtilla do të ishin të paevitueshme, por pasojat që këto greva lanë në shëndetin e minatorëve pjesëmarrës do të jenë të rënda edhe për shumë kohë më vonë e disa prej tyre do të përfundojnë edhe me vdekjen e parakohshme të tyre.
Sidoqoftë, falë angazhimit mbinjerëzor zë pandërprerë të personelit inxhiniero-teknik mbikëqyrës dhe mjekësor u evitua më e keqja së paku në kohën derisa po zgjasnin grevat e turnit në zgafelle. Para së gjithash, u zbatuan të gjitha masat tekniko-teknologjike të mbrojtjes dhe të sigurisë.
Në shërbimin inxhiniero-teknik mbikëqyrës ishte angazhuar një plejadë të rinjsh entuziastë që ishin aftësuar më parë në shkollat dhe fakultetet e Kosovës. Ata, në këtë rast, treguan pjekuri, durim, por edhe solidaritet dhe vetëmohim. Për këta nata e dita ishin vetëm nocione, sepse për ta nuk kishte pushim as natën as ditën. Disiplina në kryerjen e detyrave të caktuara çdo herë e në çdo kohë e vend ishin në nivel të lartë. Ata ishin të vetëdijshëm se edhe lëshimi apo gabimi më i vogël do të mund të linin pasoja të rënda dhe vdekjeprurëse.
Nuk mungoi as angazhimi i strukturave udhëheqëse të kombinatit e të minierës "Trepça" e të minierave tjera të Kosovës, por as i disa strukturave të atëhershme politiko-shoqërore të Komunës së Mitrovicës e të Krahinës – sidomos në fillim të grevës.
Abonnieren
Kommentare zum Post (Atom)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen