Samstag, 17. November 2007

VAJI I BURRIT ËSHTË KËNGA

Ndërkaq, gjendja në minierë bëhej gjithnjë e më e rëndë. Në horizontet e saja ishin mbyllur mëse 1.300 minatorë. Sasitë e ajrit të freskët për frymëmarrje, objektivisht, ishin të kufizuara. Kushte higjienike, praktikisht nuk kishte. Dysheme e shtart ishte shkëmbi, ndërsa mbulojë- pluhuri dhe murgu i minierës. Nuk kishte dritë e as ujë të mjaftueshëm, kurse lagështia e ajrit ishte mbi normat e lejueshme dhe shumë e rrezikshme për shëndetin e minatorëve. Këtë situatë e bënte edhe më të vështirë gjendja shëndetësore edhe kështu e rëndë e shumë minatorëve. Në gjdo moment mund të shpërthente ndonjë epidemi.
Megjithatë, edhe në këto kushte të rënda, minatorët grevist kishin fuqi që, kohë pas kohe, të bënin shaka, të tregoniin ndonjë barcoletë, të këndonin, e në një rast, në horizontin e nëntë, edhe u kapën në valle.
Jo rrallë bënin shaka nëë llogari të atyre që vinin për ti bindur që të dilnin nga zgafella. Në këto shaka printe Milazim Sumiqi i ashtuquajturi "Gjyl". Edhe në këto qaste të rënda ndihej ai vitaliteti dhe qëndrueshmëria e popullit shqipëtarë, kur kënga e zëvendëson vajin, sepse "vaji i burrit është kënga!"
Ishte dita e tretë e grevës kur drejtorin teknik të Minierës së Stari-Tërgut , inxhinier Ibush Jonuzin , e kishin informuar se një grup i minatorëve në horizontin e pestë ishin revoltuar se qysh nga fillimi i grevës nuk i kishte vizituar askush nga udhëheqësit e tyre. Pas kësaj informate drejtori i Minierës, Burhan Kavaja dhe drejtori teknik Ibush Jonuzi, nga mesi i natës së tretë të grevës, shkuan në mesin e minatorëve. Bashkë me ta hëngrën ushqim të thate dhe u informuan për gjendjen shëndetësore të minatorëve . me atë rast, minatorët u informuan për jehonën që kishte bërë greva e tyre në vend dhe në botë, për telegramet e arritura në shenjë përkrahje për kërkesat e minatorëve nga të gjitha viset e Kosovës.
Burhani i cili udhëhiqte edhe qetën e shpëtimit, i njoftoi minatorët se që nga 20 shkurti, kur kishte filluar greva, qeta ishte në gjendje gatishmërie, kurse specialistët kontrollonin ajrin e minierës që e thithnin minatorët gjatë grevës. Nga analizat e bëra, ishte vërejtur se koncentrimi i gazrave helmues e dëmtues e kalonte kufirin e lejueshëm. Prandaj rreziku ishte permanent andaj inxhinierët kërkonin nga minatorët që ta rrallonin pirjen e duhanit dhe mundësisht ta ndalonin fare. ( Në disa raste, në intervenimin e shpejtë së qetës së shpëtimimit, është eliminuar kë burim i rrezikshëm për jetën e minatorëve).
Ne, si udhëheqës së Kombinatit dhe Minierës, të ballafaquar me gjendjen e rrezikshme, e cila mund të përfundonte me tragjedi të tmerrshme, vendosëm të bisedojmë sërish me minatorët për situatën e re.
Zbritëm në horizontin e tretë. I bëmë me dije minatorët se ne të dy kemi përgjegjësi për jetën dhe shëndetin e tyre.
-Ne jemi drejtorë tuaj,- thamë. –Por jo vetëm drejtorë. Në një farë mënyre, kemi edhe rolin e prindërve. Në qoftë se edhe për një çështje humanitare nuk na dëgjoni, deshëm apo nuk deshëm, duhet të tërhiqemi nga pozitat tona dhe t’ua lëshojme vendin të tjerëve, të cilët ndoshta do të kishin më shumë sukses...
Prej thellësisë së zgafelles u dëgjua zëri pikëllues i Hasan Keqes:
-pa dëgjoni ju, Aziz, Burhan, Ibush, Mensur e ju të tjerët që keni ardhur të bisedoni me ne: nëse na e ktheni shpinën e na lini të vetmuar, atëherë ne të gjithë do të hidhemi një nga një në pus dhe do të vdesim kolektivisht e nuk do të mund të na nxirrni- veçse copat e trupit tonë...
Hasanin e përkrahën të gjithë.
Me të dëgjuar këto fjalë tmerruese nga njëri ndër luanët e nëntokës, u bindëm se nuk do të kishte dialog për lëshimin e zgafelles- pa u plotësuar kërkesat e minatorëve, të cilat, në një mënyrë, ishin edhe kërkesa gjithëkombëtare.

Keine Kommentare: