Samstag, 17. November 2007

MILAZIM ISTREFI U ALIVANOS…

Në këtë moment, derisa po fliste Remzi Kolgeci, minatori Milazim Istrefi, u alivanos. Kjo shkaktoi ndërprerjen e bisedave dhe largimin e dr. Stipe Shuvarit –pa dhënë kurrfarë rezultati pozitiv. Fati i Milazimit që aty ndodhi mjeku, i cili ia shpëtoi jetën. Por as sot nuk jemi të sigurt se ky njeri do të jetë ndonjëherë i aftë për të punuar në zgafelle.
Mysafirët e minatorëve dolën pastaj jashtë duke i lënë këta të pashpresë për zgjidhje që do t`i nxirrte jashtë. Të dëshpëruar nga ato që dëgjonin nga dr. Stipe Shuvar e të tjerët, minatorët shpeshherë ndërhynin në paraqitjet e mysafirëve. E tani që mbetën prapë në errësirën e zgafelles – u shpërndanë nëpër horizontet e tyre.
Dr. Stipe Shuvarin e bashkëpunëtorët e tij, që me shpejtësi të madhe po këqyrnin të dilnin nga zgafella, i përcolli kryetari i Këshillit Punëdrejtues të kombinatit " Trepça ", Aziz Abrashi. Pasi dolën të gjithë në sipërfaqe të tokës, dr. Shuvari iu drejtua Azizit me këto fjalë:
Dëgjo, shoku Aziz, Rrahman Morina patjetër duhet të japë dorëheqje. Unë do të insistoj për këtë, posa të arrij në Prishtinë….Patjetër…
(Edhe një shmangie: Bashkëshortja e Aziz Abrashit, Bahtije Abrashi, ishte në atë kohë kryetare e Konferencës Krahinore për Aktivitetin Shoqëror të Grave të Kosovës. Në sallën e ndërtesës së Komitetit Krahinor të LK të Kosovës, sipas kujtesës së Bahtije Abrashit, midis saj dhe dr. Stipe Shuvarit, ishte zhvilluar edhe ky dialog i shkurtër:
Shoku Stipe, unë e kam thirrur shokun Ali Shukriu, si mik shtëpie dhe mik i babait tim, dhe e kam lutur që të japë dorëheqje sepse është në pyetje shëndeti dhe jeta e minatorëve. Por shoku Ali më është përgjigjur: " Nuk kam dijeni se dikush ka kërkuar dorëheqjen time!" Andaj është mire të bisedoni me të…
I habitur shumë, dr. Shuvari ishte përgjigjur:
Çudi, si nuk po ditka shoku Ali! Tërë shtypi ka shkruar dhe shkruan përditë për këtë…
Dhe premtoi edhe një herë se do ta lusë " shokun Ali ‘, por edhe " shokun Rrahman ", që " gjithsesi të japin dorëheqje ".
Nuk dihet se a e bëri dr. Stipe Shuvari atë natë farë presioni në Rrahman Morinën para se të nisej menjëherë për Beograd, dhe a e "luti " Ali Shukriun që të jepte dorëheqje. Por është fakt se ata, me atë rast, nuk dhanë dorëheqje, e edhe kur u detyruan t`i japin dorëheqjet e kërkuara, tradhtisht i tërhoqën. Mbeti enigmë premtimi i dr. Stipe Shuvarit: a nuk e mbajti fjalën, apo nuk i eci fjala?!)

Keine Kommentare: