Miniera e "Trepçës" në Stari-Tërg është një ndër minierat më të vjetra në Evropë. Shfrytëzimi i mineralit ka filluar rreth vitit 1927. Për shfrytëzimin e mineraleve dhe punimet tjera hulumtuese në minierë janë hapur me dhjetëra kilometra korridore e qindra metra pusore. Kështu, kjo minierë tani ka 12 horizonte në thellësi të tokës deri 1000 metra.
Në minierë janë ndërtuar, poashtu, shumë objekte për shfrytëzim, për transport, për ajrim, për tharje, deponim të materialit ndezës dhe eksplodues dhe objekte tjera ndihmëse.
Hapësirat e nëntokës në minierë dhe objekte të transportit dhe të ngritjes paraqesin rreziqe të pandërprera për punonjësit e minierës. Në horizonte rrezik të madh paraqesin sidomos depot e lëndëve eksploatuese dhe ndezëse.
Në kohën e grevës së minatorëve, në shkurt të vitit 1989, në minierë kanë qenë të deponuara 2450 kg eksploziv dhe sasi të konsiderueshme të lëndëve djegëse. Gabimi më i vogël do të mund të ishte fatal për minatorët që gjendeshin në thellësitë e nëntokës.
Furnizimi i minierës me energji elektrike ishte faktor vendimtar për qëndrimin e minatorëve në minierë, sepse atyre duhej t’u siguroheshin me ventilator elektrik nga 12.000 m3 ajër në minutë nga sipërfaqja e tokës. Pastaj, nga horizonti i pestë dhe horizonti i dymbëdhjetë duhej të nxirreshin 6 m3 ujë në minutë që të mos fundosej miniera. Andaj u desh të bisedohej me udhëheqjen e atëhershme të Elektrokompanisë së Kosovës që të mos ndërpritej kurrsesi furnizimi i minierës me energji elektrike. Miniera në atë kohë kishte dy lidhje për furnizimin me energji elektrike- nga Termocentrali në Zveçan, i cili atëherë ishte i pasigurt, dhe nga rrjeti i Elektroekonomisë së Kosovës.
Premtimet që na u dhanë nga Elektroekonomia e Kosovës u realizuan në tërësi, pasi udhëheqja e atëhershme dhe punëtorët e Elektroekonomisë së Kosovës ishin të vetëdijshëm për rrezikun që u kanosej minatorëve në minierë.
Mirëpo, informacionet që arrinin nga shërbimi inxhinieriko-teknik mbikëqyrës tregonin se kishte qarkullime dhe tendenca te një numër i konsiderueshëm i minatorëve që të zbrisnin në horizonte më të ulëta, siç ishin horizontet "X" e "XI", ku temperaturat janë të larta. Në disa lokalitete të këtyre horizonteve temperatura arrin de në 40 C. Vendosja e minatorëve në horizonte të ulëta do të ishte jashtëzakonisht e rrezikshme, sepse lagështia aty arrin deri në 100%, kështu që minatorët, gjatë gjatë tërë kohës së qëndrimit aty, do të ishin të djersitur dhe brenda një kohe të shkurtër do t’i humbnin lëngjet nga trupi, do të dehidroheshin dhe do të alivanoseshin. Edhe vetë minatorët duhej ta dinin këtë. Megjithatë, u angazhuan specialistët dhe minatorët tërë kohën gjatë grevës e kaluan në horizonte të ftohta.
Por, vlen të përmendet se, për sigurinë e minatorëve, ndihmoi shumë edhe personeli tekniko-mbikëqyrës i minierës, i cili, prej fillimit ishte solidarizuar me minatorët dhe kishte zbritur në horizontet e minierës dhe mbeti me minatorët deri në përfundimin e grevës.
Abonnieren
Kommentare zum Post (Atom)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen