Samstag, 17. November 2007

VII - KRYETARËT E DY KRYESIVE TË ISH-JUGOSLLAVISË KËRKOJNË TË BISEDOJNË ME MINATORËT GREVISTË

Mbarë opinioni i vendit dhe i huaj ishte i interesuar për grevën e urisë së minatorëve të " Trepçës ". Nga shumë vende të botës vinin telegrame përkrahjeje të minatorëve, por edhe kërkesa për daljen e tyre nga zgafellja dhe për shpëtimin e shëndetit dhe të jetës së tyre. Kombinati e miniera " Trepça " ishin të njohura në botë. Nderohej emri i saj jo vetëm për plumbin e zinkun, për arin e argjendin e saj, por edhe për traditat e minatorëve të " Trepçës ", për qëndresën dhe vendosmërinë e tyre.
Greva e minatorëve të " Trepçës ", e shkurtit 1989, në arenën ndërkombëtare, e kishte arritur qëllimin e vet. Çështja e Kosovës dhe e pozitës së saj në ish-Federatën Jugosllave si dhe pozita e shqiptarëve në trojet e tyre etnike në këtë ish-Federatë tanimë thuaja se ishte internacionalizuar. Greva e minatorëve shqiptarë të " Trepçës ", qëndrueshmëria e tyre, i fliste pa fjalë botës.
Fjalë përkrahjeje e thirrje për shpëtimin e shëndetit dhe të jetës së minatorëve vinin edhe nga disa njësi federale të ish-Jugosllavisë, sidomos nga Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, por edhe nga Maqedonia, ku një numër i madh i shqiptarëve thuaja ishte ngritur në këmbë për mbrojtjen e vëllezërve të vet në Kosovë.
Të gjithë bënin përpjekje, kërkonin ndërhyrjen për dialog e zgjidhje. Të gjithë u drejtoheshin minatorëve që të pranonin të dilnin nga zgafellja, të bisedonin jashtë për kërkesat e tyre. Në Kosovë bëheshin tubime, protesta, kërkoheshin zgjidhje. Punëtorët, studentët, nxënësit, shkrimtarët në tubimet e tyre protestuese i përkrahnin kërkesat e minatorëve, të cilat, në të vërtetë, ishin kërkesa gjithëkombëtare të shqiptarëve të Kosovës dhe hasnin në përkrahje edhe të shqiptarëve të trojeve të tjera etnike në ish-jugosllavi.
Minatorët nuk pranonin të dilnin nga zgafellja pa marrë garancinë nga udhëheqja më e lartë shtetërore e politike e ish-Jugosllavisë, e Serbisë dhe e Kosovës se do të plotësoheshin kërkesat e tyre dhe se Kosovës do t`i garantohej e paprekur pozita e saj e sanksionuar me Kushtetutën e ish-Republikës Socialiste federative të Jugosllavisë-të vitit 1974. Por udhëheqësit e lartë të këtyre strukturave shtetërore e politike ngurronin të ballafaqoheshin drejtpërdrejt me minatorët grevistë në horizontin e minierës " Trepça ". Ata kërkonin që minatorët të dilnin nga zgafellja e të bisedohej jashtë zgafelles, në objektet e minierës ose të kombinatit " Trepça ‘.
Minatorët nuk pranonin dhe udhëheqësit e lartë jugosllavë filluan të lëshojnë pe. I pari që erdhi në Kosovë për të biseduar me minatorët e " Trepçës " qe kryetari i kryesisë shtetërore të ish-Jugosllavisë, Raif Dizdareviq, përfaqësues i Bosnjës e Hercegovinës në këtë Kryesi.
Më 24 Shkurt 1989, kryetari i atëhershëm i Kryesisë së Kosovës, Remzi Kolgeci, na informoi se në Prishtinë kishte arritur kryetari i Kryesis së Jugosllavisë, Raif Dizdareviq, i cili, si tha zoti Kolgeci, është i interesuar të bëjë një bisedë me një grup të përfaqësuesve të minatorëve grevistë të minierës " Trepça " të Stari-Tërgut. Bisedat do të zhvilloheshin në selinë e Kryesisë së Kosovës në Prishtinë.
Për këtë propozim i informuam kujdestarët e të gjitha horizonteve të minierës dhe kërkuam që të bëjnë propozimin për anëtarët e delegacionit që do të bisedonin me kryetarin e kryesisë së RSFJ-së, Raif Dizdareviq. Pas konsultimeve të zhvilluara, minatorët refuzuan të shkojnë në Prishtinë. Ata mendonin se në këto rrethana kryetari i Kryesisë së Jugosllavisë duhej të vinte në minierë për të biseduar me minatorët që ishin në grevë.
Pasi minatorët grevistë refuzuan të shkojnë për bisedë në Prishtinë, në marrëveshje Remzi Kolgecin dhe me pëlqimin e minatorëve, u vendos që në bisedat në Prishtinë të marrin pjesë: Aziz Abrashi, kryetar i Këshillit Punëdrejtues të kombinatit " Trepça ", Burhan Kavaja, drejtor e Ibush Jonuzi, drejtor teknik i minierës me flotacion " Trepça " të Stari-Tërgut, Juliana Gashiq, kryetare e Konferencës Aksionale të LK, Pera Radovanov, anëtar i Këshillit Punëdrejtues të Kombinatit e Ismajl Nimani, kryetar i Sindikatës së minatorëve të minierës së Stari-Tërgut – nga " Trepça ", dhe Bahredin Osmani – nga strukturat komunale të Mitrovicës. Por, Juliana Gashiq nuk arriti të marrë pjesë në këto biseda.

Keine Kommentare: