Samstag, 17. November 2007

“I KEMI SHTERUR TË GJITHA MUNDËSITË PËR BINDJE QË TË DALIN NGA ZGAFELLA…“

Aziz Abrashi

Mandej e mori fjalën Aziz Abrashi, kryetar i Këshillit Punëdrejtues të kombinatit " Trepça ", i cili, ndërmjet të tjerash, tha:
Më vjen mirë që, pas një pritjeje kaq të gjatë, megjithatë, erdhët që të mud t`ju tregojmë hallet dhe problemet tona dhe ta shpëtojmë atë që mund të shpëtohet. Fjala është për jetën e njerëzve, për fatin e minatorëve, të cilët sot janë të rrezikuar nga shumë anë. Atje, në minierë, po bën kërdi sëmundja, po kërcënon epidemia, po kërcënon uria sepse minatorët nuk po pranojnë të marrin ushqime. Atje mungojnë kushtet themelore higjienike për jetë. Me një fjalë, minatorët atje po luftojnë për jetë a vdekje.
Ndoshta nuk kemi të drejtë, por jemi shumë të dëshpëruar me opinionin e gjerë të Jugosllavisë për angazhimin e tij të pamjaftueshëm për zgjidhjen e këtij problemi. Sepse deri dje, praktikisht, askush, përpos udhëheqësve komunalë e një pjese të udhëheqjes krahinore, nuk e pa të udhës të vijë e të bisedojë me minatorët.
Prandaj, minatorët me të drejtë e ndiejnë veten të fyer. Kurse ne të gjithë duhet ta vrasim mendjen si u bë që për kaq kohë të mos ndërmerret asgjë më serioze për të dalë nga kjo situatë e krijuar. E zgjidhje – nuk mund të thuhet se nuk ka. Vendi ynë, kombet e kombësitë e tij, edhe në kushte më të rënda kanë gjetur zgjidhje. Mirëpo, solidariteti njerëzor, pos manifestimit në telegrame, nuk është manifestuar ndryshe në shkallën e duhur. Nuk kemi pasur aksione efikase të republikave e të krahinave për zgjidhjen e këtij problemi, kështu që kemi mbetur vetëm. Kjo e ka ndezur revoltën e minatorëve tanë deri në atë shkallë sa njeriun e parë të Partisë sonë të mos e presin me respektin e merituar dhe me ballë të hapur e fytyra të qeshura.
Me siguri ka pasur probleme edhe më të mëdha që kanë kërkuar zgjidhje. Por, si kryetar i Këshillit Punëdrejtues të " Trepçës ‘, konsideroj se nuk ka qenë e arsyeshme pritja e gjatë pesë muaj derisa të vijnë funksionarët nga Federata në mesin e minatorëve të ‘ Trepçës ". Sigurisht se kryetari i Kryesisë së KQ të LKJ dhe i asaj të Republikës kanë pasur edhe obligime të tjera. Por, fatkeqësisht, në momentin më të rëndë na u dha mundësia që të konsultohemi bashkërisht dhe, përmes tij, të bëjmë thirrje që të na krijohen kushte për t`i nxjerrë minatorët nga zgafellja.
Nëse nuk dalin sot minatorët nga zgafellja, mund të them me përgjegjësi të plotë para opinionit jugosllav se mund të kenë pasoja të rënda, së pari vetë minatorët, e me siguri, duke e njohur mentalitetin e minatorëve, ato mund të jenë të pamatshme.
Me çka duhet dëshmuar se disa nga kërkesat e arsyeshme të minatorëve pritet se do të realizohen? Mendoj se disa nga kërkesat e tyre rreth amendamenteve kushtetuese, rreth dorëheqjes së Rrahman Morinës, rreth ligjit mbi pensionimin e punëtorëve të arsimit para kohe, rreth vlerësimit të ngjarjeve të nëntorit të vitit 1988, etj. ia kemi dalë t`ua shpjegojmë disi punëtorëve. Por, s`kemi mundur t`ua mbushim mendjen se ja, kjo është dita e pestë që ata po e kërkojnë dorëheqjen e njeriut të parë të Partisë në Kosovë – pa marrë parasysh se a kanë argumente të mjaftueshme pasi ai është në atë pozitë vetëm tash një muaj-e ai nuk po e jep atë dorëheqje. Po a nuk mjafton argumenti se këtë po e kërkojnë tri mijë minatorë të kësaj miniere?! Këtë po e kërkojnë edhe nja dhjetë here kaq punëtorë anembanë Kosovës. Dorëheqja e tij duhet të jetë akt moral, e jo obligim partiak. Tani është në pyetje shpëtimi i njerëzve. A është më i rëndësishëm një njeri në parti, apo tre mijë veta, të cilëve u kërcënohet vdekja.
Këtu është fjala: të jesh a të mos jesh! Në këtë moment, në emër të këtyre punëtorëve, në emër të gjithë asaj që ka bërë kjo organizatë punuese, në emër të atyre që janë përpjekur që me punën e vet të ndihmojnë për zgjidhjen e situatave më të vështira, në emër të atyre familjeve që presin t`u kthehen baballarët e tyre, vëllezërit e tyre, fëmijët e tyre, thërras opinionin e mbarë vendit që të mendojë si të zgjidhet kjo çështje. Ne nuk kemi më argumente të tjera. I kemi shterur të gjitha mundësitë për bindje që të dalin nga zgafellja.
Në bisedën e fundit që kemi pasur me minatorët për t`i bindur që të dalin nga zgafellja, na kanë thënë se " nëse nuk është argument i mjaftueshëm fakti se do të rrimë këtu, që ta mbrojmë jetën tone, atëherë dini se ne argument tjetër nuk kemi! Nëse nuk plotësohen kërkesat tona, atëherë dini se mund të na keni vetëm në arkivole!"
Ne, në strukturat udhëheqëse punëdrejtuese të këtij kombinati dhe të Komunës nuk kemi më mjete të cilat do të mund t`i përdornim për t`i bindur minatorët, kështu që tash e mbas, pasojat tragjike që mund të shkaktohen, duhet t`i ndajmë me ju, duke filluar nga kryetari i Kryesisë së KQ të LKJ e deri te shokët në RS të Serbisë e në KSA të Kosovës. Nuk është shënuar në histori edhe ndonjë rast tjetër që minatorët të kenë kaluar kaq shumë ditë të mbyllur në galeritë e minierës.
Tash është me rëndësi si ta shpëtojmë jetën e minatorëve. Ata nuk kanë të gatshëm të lëshojnë pe sa i përket kërkesës për dorëheqje. Punëtorët po ashtu janë të revoltuar dhe të dëshpëruar për vlerësimet e tubimeve të nëntorit të vitit 1988, për kualifikimet që ua kanë bërë marsheve dhe tubimeve të tyre protestuese disa individë, forume e mjete të informimit duke i shpallur armiqësore e kundër-revolucionare. Minatorët janë revoltuar edhe që konkluzionet e miratuara poashtu nuk janë në përputhje me diskutimet e bëra në Komitetin Krahinor të LK të Kosovës. Nëse dikush mendon se minatorët nuk janë të informuar, gabon. Për më tepër, ata janë jo vetëm të informuar mirë, por janë edhe të brengosur për situatën e krijuar në vend dhe angazhohen për një jetë të qetë, për forcimin e vëllazërimit e të bashkimit, për një të nesërme më të mirë, për hyrje të qetë në shekullin 21 e në mileniumin e tretë.
Siç e dini, gati në tërë Kosovën jeta është e paralizuar, edhe pse minatorët kanë bërë thirrje që t`i përkrahin duke punuar. Minatorët shpeshherë bëjnë krahasime edhe për gjërat që ndodhin në Kosovë e në vise të tjera të vendit. Disa herë na kanë përmendur rastin e pendës në Badovc. " Aty - thonë ata - menjëherë arritën shokët nga RS e Serbisë, kurse këtu kanë munguar edhe aksionet më të domosdoshme që do të çonin në zgjidhe!"
Minatorët janë për barazi, për vëllazërim e bashkim, por insistojnë që të gjithë të jetojnë njësoj. Në këtë moment situata po ndryshon nga ora në orë. Nga minuta në minutë. Nga çasti në çast. Të gjithë do të ishin të lumtur nëse do të dëgjonin nga ju këshillën se ç`të bëjmë që t`i shpëtojmë minatorët…

Keine Kommentare: