Samstag, 17. November 2007

NJËSITË SPECIALE TË MILICISË I DOLËN PËRPARA KOLONËS SË MINATORËVE

Për pengimin dhe ndërprerjen e marshit të minatorëve u angazhuan edhe njësitë speciale të milicisë së Kosovës. Ato dolën përpara kolonës së minatorëve te fshati Mazgit, afër Obiliqit. Mirëpo, përkundër përpjekjeve të milicisë, kolona e minatorëve e shpërtheu kordonin e parë e të dytë të milicisë dhe e vazhdoi rrugën në drejtim të Prishtinës.
Së bashku me minatorët ishin gjithnjë udhëheqësit e Minierës e të Kombinatit si dhe kryetarja e Konferencës Aksionare të Lidhjes së Komunistëve të Stari-Tërgut, Juliana Gashiq (serbe).
Edhe pse ekzistonte mundësia e transportit me autobus, minatorët refuzonin të hipnin në autobusët që u shkonin pas e përpara. Në një moment, një numër i minatorëve të sëmurë e të rraskapitur pranuan të hipnin në autobus, por këta e vërejtën shpejt se do t`i mashtronin e do t`i kthenin në Mitrovicë, prandaj i detyruan shoferët që t` i ndalnin autobusët e zbritën dhe e vazhduan rrugën në këmbë. Një shofer nuk e ndali autobusin dhe me shpejtësi të madhe i solli minatorët në stacionin e autobusëve në Mitrovicë. Pas protestave të minatorëve, një udhëheqës i Kosovatransit të Mitrovicës e urdhëroi shpferin që t`i kthente mbrapa.
Kështu edhe ky grup i minatorëve iu bashkua kolonës në drejtim të Prishtinës.

Keine Kommentare: