Samstag, 17. November 2007

“TË GJITHËVE NA KAPLON FRIKA DHE BRENGOSJA PËR MINATORËT“

Dr. Stipe Shuvar

Pasi kryetari i organizatës sindikale të minatorëve të Stari-Tërgut, Ismajl Nimani, i lexoi kërkesat minatorëve që ishin shpallur edhe në mjetet e informimit, e mori fjalën kryetari i Kryesisë së KQ të LKJ, dr. Stipe Shuvar, i cili, midis të tjerash tha:
" Të gjithë jemi të preokupuar. Të gjithëve na kaplon frika dhe brengosja për fatin e minatorëve. Edhe vetë jam bir minatori dhe e kuptoj mentalitetin e tyre. Buka e minatorit është me nëntë kore. Minatorët janë luftëtarë që i takojnë pjesës më të ndritshme të klasës punëtore te ne dhe në botë. E këtu janë edhe më të fortë sepse kemi të bëjmë me minatorë të kombësisë shqiptare.
Ata nuk pranuan që unë dhe pjesa tjetër e delegacionit të hyjmë në minierë. Pyes: pse, si? Mos mendojnë se nuk do t`i përcjell porositë e tyre? Unë jam i gatshëm të pres, jam i gatshëm të hyj në zgafelle e t`i ftoj ata që të dalin në restorant e këtu të flas me ta si di dhe si mundem. E pastaj, po deshën edhe le të kthehen në zgafelle…"
Më pastaj dr. Shuvar bëri vërejtje për disa theksime e intonacione nga fjalët e Aziz Abrashit e të Burhan Kavajës, sidomos me formulimin se " megjithatë kanë gjetur kohë për të ardhur këtu ".
" Për kërkesën pesëmuajshme që të vij këtu – tha dr. Shuvar – unë nuk di. Di vetëm për kërkesat që janë bërë në nëntor me rastin e marshit në drejtim të Prishtinës dhe me rastin e tubimeve në qendrën sportive " Boro e Ramizi " në Prishtinë. Një kërkesë e tillë gjatë marshimit rrugëve, kur njeriu mund t`i përgjigjet ose të mos i përgjigjet një ftese, është më pak e obligueshme sesa kur thërrasin njerëzit e mbyllur në zgafellë, ku është në rrezik shëndeti dhe jeta e tyre. Për këtë kërkesë unë kam marrë vesh të martën në mëngjes, e kur ka filluar greva nuk e di..
Të martën ne kemi pasur mbledhjen e Kryesisë së KQ të LKJ. Kjo ishte mbledhje e rregullt dhe ne nuk kemi menduar të ndalemi posaçërisht në këtë çështje. Të martën në mbrëmje, kur u mblodhëm të dy kryesitë kosovare, mua më thirri shoku Kolgeci dhe më tha se do të ishte mirë të vij. Unë u përgjigja pozitivisht dhe thashë se jam në dispozicion të enjten apo të premten…Të mërkurën në mëngjes i mblodha të gjithë anëtarët Professional të kryesisë e sekretarët ekzekutivë dhe u thashë se gjendja është serioze. Për pasdite thirra mbledhjen e Kryesisë me përfaqësuesit nga republikat e krahinat dhe nga organizata e LKJ në APJ. Ne, si udhëheqje kolektive, e miratuam kumtesën me të cilën apelonim te punëtorët e minatorët e kombësisë shqiptare që t`i ndërprenë grevat e të dalin nga zgafellja. Në të njëjtën kohë e morëm vesh që të nisemi këndej. Unë nuk arrita të enjten sepse atë ditë ishte miratimi i amendamenteve në Kushtetutën e RS të Serbisë dhe duhej parë se si do të zhvillohej çështja. Kjo ishte me rëndësi sepse janë në lojë konflikte me peshë të madhe…
Dua të ballafaqohem me minatorët dhe t`u them tërë atë që di dhe që mund t`u them. Unë nuk frikësohem se do të hidhërohen minatorët me mua nëse u them atë që nuk do t`u pëlqejë, e nga ana tjetër jam i gatshëm të dëgjoj atë që kanë për të më thënë…Në fund, më duhet të them se po të ishin kërkesa sociale e ekzistenciale, atëherë do të gjendej një zgjidhje e shpejtë duke filluar nga individët e deri tek organet më të larta. Sepse – ky është obligimi ynë. Por, kërkesat e minatorëve janë kërkesa politike dhe ato kërkojnë edhe zgjidhje politike….Gjendemi në një situatë të vështirë, sepse njerëzit që janë mbyllur me vetëdije në zgafelle janë duke rrezikuar shëndetin e tyre për t`i realizuar kërkesat e veta. Dhe ne, sado që e ndiejmë tërë peshën e atyre që janë në zgafelle, megjithatë, duhet të themi se për t`i shqyrtuar kërkesat politike, nevojiten kushte minimale për këtë. Askush në këtë vend, e as minatorët nuk kanë të drejtë të parashtrojnë ultimatum politik…..
Meqë kryetarit të Kryesisë së KQ të LKJ, kërkesat e minatorëve që i lexoi kryetari i organizatës sindikale të minierës " Trepça " i tingëlluan të formuluara ndryshe nga ato që i kishin rënë në dorë më pare, Burhan Kavaja e informoi se këto kërkesa ishin parashtruar që në fillim të grevës dhe se nuk ishin ndryshuar fare.

Keine Kommentare: