Avdi Uka
Jemi këtu qe 150 orë. Familjet tona tani nuk dinë a jemi të gjallë ose të vdekur, e as ne nuk dimë për ato. Ne ju lusim gojarisht që të na shpëtoni, të na ndihmoni që të dalim prej këndej, të dalim në sipërfaqe, ta shohim diellin, të dinë familjet tona se jemi gjallë, t`i shohim ato dhe ato të na shohin neve. Ne nuk do të dalim të gjallë nga zgafellja pa u plotësuar kushtet e paraqitura në të nëntë pikat tona. Për të dale e për ta pare diellin është një kusht: që Ali Shukriu, Rrahman Morina dhe Husamedin Azemi të japin dorëheqje nga funksionet që kanë, me shkrim dhe të vërtetuara me vulë. E kur t`i shohim dhe t`i lexojmë ato dorëheqje, do të dalim jashtë. Pastaj ne nuk do të shkojmë në shtëpi, pa u plotësuar dhe tetë pikat e tjera të kërkesave tona.
Ju lutem, a më shumë kanë vlerë miniera e Stari-Tërgut, 1300 punëtorë që jetojnë poshtë qe 150 orë dhe që e kanë shqetësuar tërë Kosovën e Jugosllavinë, apo Rrahman Morina?! Çfarë komunisti e konsideron ai veten! Si nuk turpërohet nga vetvetja! Sikur të ishte fjala vetëm për dy a tre veta, e jo për trazimin e tërë këtij populli! Tani askush nuk mund të garantojë se nuk kemi njerëz të vdekur nëpër korridore. Ja ku i kemi shokët! Njëzet a tridhjetë sish, të shtrirë, refuzojnë çdo ndihmë mjekësore e nuk pranojnë të shkojnë as në shtëpitë e tyre, edhe pse i kemi lutur. Këta janë betuar se pa u ardhur lajmi se ata kanë dhënë dorëheqje, të gjallë nuk do të dalin prej këndej.
Ne nuk kemi dashur t`i pranojmë në mesin tonë (mendohet për Rrahman Morinën me shokë - Shënimi ynë). Që nga 17 nëntori, kur kemi shkuar në Prishtinë, e deri tash, kanë ardhur dhe na kanë " siguruar " se do të ndreqet puna, por ne s`e kemi parë se po rregullohen gjërat. Ne tash pesë muaj që i kemi thirrur të na vijnë shokët nga udhëheqja e lartë e Lidhjes së Komunistëve. Ju kemi thirrur edhe juve, shoku Stipe, e kemi thirrur Ali Shukriun. Por s`e keni parë të arsyeshme që të na vini….
Ju lutem, nëse nuk mund të na premtoni gjë, dilni prej këndej e mos na torturoni, se jemi të rraskapitur e nuk jemi në gjendje të flasim. Shkoni e kërkoni përgjegjësi nga Rrahaman Morina, se me këtë punë kemi humbur ne, por ka humbur edhe tërë Jugosllavia. Më falni, nuk kam forcë të flas më.
Abonnieren
Kommentare zum Post (Atom)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen