Samstag, 17. November 2007

MEGJITHATË, “ TREPÇA “ KONKLUDON: MASIVITETI SHPREHJE E SOLIDARIZIMIT ME MINATORËT

Përkundër zhagitjes së organeve kompetente krahinore që të jepeshin vlerësimet zyrtare të ngjarjeve të nëntorit 1988, organet punëdrejtuese dhe organizatat politiko-shoqërore të ndërmarrjes së minierës ‘ Trepça " të Stari-Tërgut, me prezencën e strukturave punëdrejtuese e politike të kombinatit ‘ Trepça " dhe të Komunës së Mitrovicës e të Krahinës së Kosovës-mbajtën konferencën e zgjeruar të Lidhjes së Komunistëve të Stari-Tërgut më 25 nëntor 1988, në të cilën u shqyrtua informata mbi tubimet masive të minatorëve dhe marshet protestuese të 17 e 18 nëntorit 1988.
Pas një shqyrtimi të gjithanshëm konferenca konkludoi sa vijon:
Tubimet dhe marshet protestues të minatorëve të minierës " Trepça " të Stari-Tërgut, më 17, 18 e 19 nëntor 1988, ishin ngjarje me karakter spontan, kurse masiviteti ishte shprehje e solidarizimit me kërkesat e minatorëve.
Në tubimet dhe në marshet protestuese nuk pat asnjë parullë të papranueshme, nuk pat kurrfarë ekscesesh, po në këto tubime u brohoritën parulla që ishin në suaza të platforms së Lidhjes së Komunistëve.
Kjo konference distancohet energjikisht nga mjetet e informimit (Radio-televizioni dhe shtypi në gjuhën serbokroate), të cilat vazhdimisht po e iritojnë klasën punëtore me lloj-lloj kualifikimesh dhe etiketimesh.
Apeli i Kryesisë së Jugosllavisë e i Kryesisë së Kosovës dhe apelet e tjera që problemet të zgjidhen përmes sistemit të institucioneve legale kanë hasur në përkrahje. Mirëpo, edhe më tutje pritet ardhja në " Trepçë " e përfaqësuesve të Kosovës, të Republikës së Serbisë dhe të Federatës.
Është vlerësim unanim se këto ngjarje shprehin momentin dhe gjendjen me mundësi që ato të zgjerohen, por pa mundësi që ato të nënvleftësohen apo të mbivleftësohen, përkatësisht të keqpërdoren. Andaj, minatorët, edhe kësaj radhe, japin vlerësimet e veta për ngjarjet e nëntorit 1988 me qëllim që të ngushtohet hapësira për manipulime.

Keine Kommentare: