Dita e katërt e grevës së minatorëve. Më 23 shkurt 1989. Situata në minierën "Trepça" të Stari-Tërgut në kufi të tragjedisë kombëtare. Ne të dy bëjmë përpjekje të pandërprera që ta bindim udhëheqjen e atëhershme politike e shtetërore të Kosovës që të ndërmarrë diçka për realizimin e kërkesave të minatorëve dhe të vijë dikush nga udhëheqja në zgafelle që të bisedojë drejtpërdrejt me minatorët.
- Si kryetar i Këshillit të Punëtorëve të Kombinatit,- i kujtohet sot Azizit – mbaja kontakte telefonike gati me të gjithë udhëheqësit më të lartë të Kosovës. Më kujtohen disa detaje të këtyre bisedave. Biseda me Nazmi Mustafën, atëherë kryetar i Këshillit Ekzekutiv të Kuvendit të Kosovës, për mua ishte shumë ofenduese. Me insistimin tim që të ndërmerrte diçka për realizimin e kërkesave të minatorëve dhe shpëtimin e tyre, m’u përgjigj me këto fjalë:
- Ti edhe Burhani po luani, e unë kam punë më të rëndësishme.
Megjithatë, Nazmi Mustafa, më në fund, e lajmëroi ardhjen në minierë. Pas konsultimeve të bëra, u caktua ekipi, i cili do ta lëshonte atë në zgafelle dhe do t’i propozonte objektet e minierës që do të mund t’i vizitonte. Ishte paraparë që ai t’i shihte edhe kushtet, në të cilat punonin minatorët.
Dhe, më 23 shkurt, në orën 22.00, Nazmi Mustafa dhe përcjellësit e tij, të shoqëruar nga Burhan Kavaja, Ibush Jonuzi, zbritën në zgafelle. Por pjesën më të madhe të kohës (rreth katër orë) Nazmi Mustafa e kaloi duke e "vizituar" horizontin, ku nuk ishin minatorët. Rreth orës 3 të mëngjesit u takua me minatorët, pyeti për kushtet në të cilat po mbahej greva, për shëndetin e minatorëve, por, për kërkesat konkrete të minatorëve nuk e hapi gojën. Për habi të minatorëve, të cilët reaguan edhe me zë, ai nuk dha kurrfarë përgjigje në lidhje me kërkesën e parë esenciale të minatorëve: që të mos ndryshohen parimet themelore të kushtetues së vitit 1974. Nuk e tha asnjë fjalë as për fushatën antishqiptare që zhvillohej nga ekstremistët serbë e malazezë. U përqendrua vetëm në kërkesën për dorëheqje
-Po ta kërkonin dorëheqjen time vetëm tre minatorë –tha ai – do ta jepja menjëherë.
Kjo sjellje e kryetarit të qeverisë së atëhershme të Kosovës u kuptua si "maturi diplomatike", e cila gjithsesi i dëshpëroi minatorët.
Abonnieren
Kommentare zum Post (Atom)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen