Samstag, 17. November 2007

SI U HAKMOR NJË INSPEKTOR SHQIPFOLËS I SIGURIMIT SHTETËROR SERB

(Një shmangie: Shumë kohë para marsheve e tubimeve protestuese dhe grevave të minatorëve të "Trepçës", kur inxhinier Burhan Kavaja sapo kishte marrë detyrën e drejtorit të ndërmarrjes së minierës me flotacion "Trepça" në Stari-Tërg, në zyrën e tij hyri pa paralajmërim inspektori operativist i Sigurimit Shtetëror nga Sekretariati i punëve të brendshme të Mitrovicës, Hajdin Tahiri. Në zyrë ishte edhe drejtori teknik i Minierës, inxhi. Ibush Jonuzi. Inspektori u ul bakllëpërballë me të dy inxhinierët. Ibushi u çua dhe deshi të dilte – që t’i linte vetëm drejtorin dhe inspektorin. Por ky "urdhëroi" që të mbetej në zyrë edhe Ibushi dhe menjëherë iu drejtua Burhanit:
-Shoku drejtor, ju tani keni ardhur i ri, por janë disa rregulla. Tani e tutje unë do të jem këtu për konsultime sa i përket sigurimit shtetëror. Nuk është e preferueshme që pa konsultime të pranosh punëtorët në punë, t’i transferosh nga një vend në tjetrin apo t’i largosh nga puna.
Pasi Burhani i dëgjoi këto "sugjerime" në formë kërcënimesh, ia bëri me dije inspektorit se nuk ishte i dëshirueshëm në asnjë objekt të minierës me flotacion.
Tani e tutje anuloni këto vizita. Na lini të punojmë! – dhe ia hapi derën e zyrës. Inspektori atë ditë nuk kishte se nga t’ia mbante dhe e uli kokën e doli jashtë. Por, disa ditë më vonë, kur drejtori i Minierës, inxhi. Burhan Kavaja, tanimë ishte në burguin e Mitrovicës, inspektori Hajdin Tahiri u paqit përsëri para Burhanit, tani në cilësinë e dëshmitarit akuzues pra organeve hetuese.
Rrjetën e Sigurimit Shtetëror në minierën me flotacion "Trepça" në Stari-Tërg e ka shkatërruar Burhan Kavaja –tha ai. –Përndryshe, kurrë nuk do të shpërthente greva në këtë minierë.
Kështu u hakmor Hajdin Tahiri. E si treguan dëshmitarët gjatë gjykimit të minatorëve në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë në fillim të vitit 1990, ai u ishte "hakmarrë" me reprezalje çnjerëzore edhe disa minatorëve e punëtorëve të "Trepçës".

Keine Kommentare: