Samstag, 17. November 2007

MINATORËT U ORGANIZUAN VETË DHE “LIDERË” NUK KISHIN

Komiteti për Mbrojtje e Vetëmbrojtje Shoqërore të minierës – në përbërje të zgjeruar – shqyrtoi gjendjen e krijuar në minierë dhe njëkohësisht u informua për kërkesat e minatorëve, të cilat, në atë moment, ende ishin jo të plota dhe të padefinuara plotësisht. Sepse – minatorët dëshironin që kërkesat e tyre të plota t’i paraqitnin para subjekteve politike dhe shtetërore të Federatës, të Republikës së Serbisë dhe të Kosovës.
Në këtë Komitet u mor vendimi për aktivizimin e planeve të shpejtimit dhe për ndërmarrjen e masave të tjera të sigurisë. Poashtu u vendos që udhëheqja e organizatës punuese të minierës menjëherë të vihet në kontakt me minatorët në të gjitha horizontet e minierës për t’u informuar me kërkesat e tyre dhe për të bërë përpjekje që minatorët të dalin nga miniera.
Në këtë kohë ne zhvillonim bisedime me minatorët në të gjitha horizontet. I bëmë me dije për rrezikun që i kanosej shëndetit të tyre me qëndrim në minierë duke i këshilluar që kërkesat e tyre t’i parashtronin në tubimet që do të mbaheshin jashtë minierës. Në bisedë me ne, ata theksonin se ishin të vetëdijshëm për pasojat dhe rrezikun që u kanosej nga qëndrimi në minierë, por edhe se ishin të gatshëm ta sakrifikonin shëndetin e madje edhe jetën e tyre që opinioni i vendit dhe ai botëror të informoheshin për gjendjen diskriminuese në të cilën ndodheshin, përkatësisht do të ndodheshin shqiptarët e Kosovës me kurdisjet që po i përgatiteshin.
Por, që në fillim u pa qarrtë se në mesin e minatorëve nuk kishte "liderë" e as ndonjë grup të ngushtë të organizatorëve. Minatorët iu përmbajtën parimit se janë "një për të gjithë" dhe "të gjithë për një". Edhe në marshet protestuese dhe në tubimet tjera kishin pasur këtë qëndrim.
Sidoqoftë, në mesin e tyre që i zgjodhën vetë minatorët, për kujdestari, rend, komunikim e siguri të minatorëve, dalloheshin: Abit Ibishi, Avdi Uka, Asllan Salihu, Azem Rexha, Bajram Musliu, Esat jusufi, Ferid Neziri, Ferid Feka, Fejzë Halili, Ferid Kosova, Haki Uka, Halit Istrefi, Hasan Keqa, Hasan Sadku, Hajriz Istrefi, Jahir Neziri, Jetish Bajrami, Ismail Nimani, Imer Osmani, Mursel Haziri, Muharrem Misini, Milazim Sumiqi, Miran Beqiri, Musa Jonuzi, Mursel Tahiri, Nebi Ferizi, Nazif Tahiri, Nezir Behrami, Ramadan Gjeloshi, Ramadan Nimani, Rasim Salihu, Rifat Osmani, Ramiz Kadriu, Rrustem Voca, Sabit Parduzi, Sefedin Istrefi, Sadri haredinaj, Shyqri Sadiku, Shemë Voca, Shefqet Ferizi, Shahin Shala, Shahin Peci, Tahir Jusufi, Tahir Salihu, Veli Osmani, Zenel Hamiti, Zeqë Behrami dhe Xhavit Peci.

Keine Kommentare: