Isuf Tahiri
Kur kemi shkuar në Prishtinë, ne ju kemi ftuar të vini këtu, jo për dasmë, por që, si njeri i parë i Partisë që jeni, t`jua themi haptas atë që kishim për të thënë. Mirëpo, disa politikanë kërkesave tona po u japin kahe tjetër dhe po krijojnë averzion ndaj nesh dhe ndaj shqiptarëve në përgjithësi. Ta dini se ne nuk kemi qenë kundër ndryshimeve kushtetuese që çojnë përpara, por kundër ndryshimeve që i ngushtojnë të drejtat dhe autonomitetin. Në debatin kushtetues kanë marrë pjesë qindra e mijëra njerëz të Kosovës dhe debati ishte me të vërtetë demokratik. Mirëpo, tani po thuhet se diskutuesit ishin nacionalistë. Ju pyes se me prerogativat që i merr Serbia me këto ndryshime, vallë a nuk ngushtohet autonomia, meqë të drejtat e kompetencat e Serbisë ndaj Kosovës zgjerohen?
Ne e dimë se disa çështje janë te rregulluara me Kushtetutën. Tani neve po na thonë se po kemi frikë se do t`i humbim ato të drejta që mund të kufizohen me Kushtetutën e Republikës së Serbisë. E frikë kemi, si të mos kemi frikë kur thonë: një kushtetutë -një gjuhë. Kërkohet që të kemi besim në Serbinë, e Serbia nuk ka besim në ne. Tubimet në Serbi quhen akt demokratik, edhe pse në këto tubime brohoriten parulla: ‘ Vdekje shqiptarëve " dhe " Varje për Azemin! " e të tjera. Ndërkaq, askush nga shokët udhëheqës të Serbisë s`e sheh të udhës të distancohet prej tyre.
Ja, këtu është shoku Gaçiq. Kështu ata e ndajnë popullin. E ne kemi shkuar në Prishtinë me flamuj shtetërorë e partiakë, por edhe me flamuj kombëtarë shqiptarë, e me fotografinë e Titos, por jo vetëm me fotografinë e tij. Çfarë flamujsh e fotografish është dashur të marrim nëse jo këto?! Megjithatë, na quajtën nacionalistë e çkamos tjetër. Apo dikujt i shihet qimja në vezë e dikujt as bualli! A s`është kjo dëshmi e trajtimit të ndryshëm të njerëzve! Derisa në një anë pasurohet konstituimi i shtetit sa më demokratik, në anën tjetër, kur është fjala për Kosovën, synohen zgjidhje represive.
Kosova njëmend ka marrë ndihma nga viset e tjera të vendit. Për këtë duhet të jemi mirënjohës. Por, a duhet të jemi mirënjohës edhe për fabrikat që kohët e fundit po ndërtohen vetëm për mjedise ku nuk ka shqiptarë, siç është ajo në Batushë! Ato janë fabrika politike dhe nuk i ndihmojnë barazisë.
A thua çfarë procedure demokratke u dashka që Rrahman Morina të japë dorëheqje nëse këtë e kërkon klasa punëtore! E ta dini, ne jemi të vendosur që kërkesa jonë të realizohet.
Siç do të keni pasur rastin të dëgjoni, tani është duke u bërë një fushatë për ndërrimin e emrave të shkollave që nderojnë ndonjë personalitet nga e kaluara historike ose ndonjë datë me rëndësi nga kultura kombëtare shqiptare. Pse ju, shoku Gaçiq, asnjëherë s`keni thënë se nuk bën kështu. Ku do të na çojë kjo? Po të kërkonim ne heqjen e emrit të shkollës " Silvira Tomazini " në Mitrovicë, athua si do të komentohej kjo? Ne as që na ka shkuar mendja të bëjmë këtë, sepse mburremi që shkolla jonë e ka emrin e saj. Por, derisa të paditemi kështu njëri me tjetrin, nuk do të ketë as stabilizim.
Na thoni, shoku kryetar, ç`keni vendosur për kërkesat tona?
Abonnieren
Kommentare zum Post (Atom)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen