Samstag, 17. November 2007

FILLUAN MINATORËT E NDËRRIMIT TË TRETË E TË NDËRRIMIT TË PARË

Më 17 nëntor 1988 në mëngjes, pasi minatorët e ndërrimit të tretë dolën nga Miniera, u bashkuan me minatorët e ndërrimit të parë dhe vendosën që revoltën e tyre kundër gjendjes së krijuar politike në Kosovë ta shprehin me organizimin e marshit protestues nga miniera " Trepça " e Stari-Tërgut deri në Prishtinë. Minatorët, të cilëve iu bashkuan edhe punëtorë të tjerë, marshuan në këmbë 52 km rrugë. Në Palestrën e Sporteve në Prishtinë arritën mbi 3000 minatorë e punëtorë të tjerë të " Trepçës ".
Në orët e hershme të mëngjesit për kërkesat e qëllimet e minatorëve u njoftuan kryetarja e atëhershme e Kryesisë së Komitetit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës, Kaçusha Jashari, dhe kryetari i Kryesisë shtetërore të Kosovës, Remzi Kolgeci. Këta, përmes bisedave telefonike, insistonin që të bëhen përpjekje që të mos lejohej ardhja masive e minatorëve në Prishtinë, por kontaktet, bisedat e tubimet të mbaheshin në Stari-Tërg, përkatësisht ne Mitrovicë.
Minatorët u njoftuan për sugjerimet e udhëheqjes së atëhershme krahinore që bisedat të zhvillohen në Stari-Tërg ose në pallatin e sporteve " Minatori " në Mitrovicë. Këto propozime nuk u përfillën fare dhe kolona e minatorëve u formua para portës së minierës dhe u nis në drejtim të Prishtinës. Edhe udhëheqja e kombinatit " Trepça ", udhëheqja e Ndërmarrjes së minierës e udhëheqja e Komunës së Mitrovicës, njësoj si ajo e Krahinës, insistonin që tubimi dhe bisedat të mbaheshin në Mitrovicë.
Edhe këtë propozim minatorët nuk e pranuan dhe kolona e vazhdoi rrugën në drejtim të Prishtinës. Minatorët kishin veshur rrobat e punës, të cilat ishin të dëmtuara dhe të dedikuara për vende relativisht të nxehta. Ata mbanin po ashtu llambat e minierës dhe çizmet e gomës, të cilat, gjithashtu ishin të grisura. E kjo ishte ditë e ftohtë dhe me acar. Ekzistonte mundësia që të ftohen dhe të kenë pasoja të rënda për shëndetin e tyre. Minatorëve iu tërhoq vërejtja për këso rreziqe. Mirëpo, ata ishin të vendosur dhe nuk hiqnin dorë nga qëllimi i tyre.
Kolona ishte gjithnjë e përcjellë nga policia sekrete e Sigurimit Shtetëror, e udhëhequr nga kryepolici Faruk Mehmeti. Në këtë përcjellje kishte agjentë të policisë komunale e krahinore, por edhe gazetarë e punëtorë të tjerë të mjeteve të informimit publik nga Krahina, Republika e Serbisë e njësitë e tjera federale të ish-Jugosllavisë.
Bajram Selani, atëherë anëtar i Kryesisë së Kosovës, bëri tentime që t`i bindte minatorët që ta ndërpresin marshin dhe të ktheheshin në Mitrovicë. Pastaj tentoi edhe Sava Komadiniq, kryetar i Lidhjes së Sindikatave të Kosovës. U përpoqën edhe të tjerë. Por minatorët nuk i përfillën dhe kolona e vazhdoi marshin në drejtim të Prishtinës.
Në afërsi të fshatit Tomiq, kolona u ndal për ta dëgjuar kryetarin e Kryesisë së Kosovës, Remzi Kolgecin. Edhe tash kryetari Kolgeci kërkonte që minatorët ta ndërprenin marshin protestues dhe të ktheheshin në Mitrovicë, ku do të vazhdonin bisedat. Me këtë rast, ai, midis tjerash, shprehu mendimin se kërkesat e minatorëve " duhet të realizohen përmes sistemit të institucioneve legale ".
Minatorët përsëri nuk u bindën dhe e vazhduan rrugën për në Prishtinë.

Keine Kommentare: