Samstag, 17. November 2007

ENERGJIA E MINATORËVE NUK U SHFRYTËZUA PËR NDALIMIN E FUSHATËS ANTISHQIPTARE

Mjerisht, kjo energji e akumuluar e minatorëve nuk u shfrytëzua si armë jashtëzakonisht e fortë për pengimin e qëllimeve të Serbisë në fushatën e saj antishqiptare. Përkundrazi, u ndërmorën masa për amortizimin e kërkesave të artikuluara nga minatorët e që paraqitnin, në të vërtetë, kërkesat, qëndrimet e aspiratat e afro dy milionë shqiptarëve.
Në shqyrtimet e vlerësimet e mëvonshme të ngjarjeve të nëntorit 1988, që pasuan edhe në nivel të organeve e të organizatave të kombinatit " Trepça " , serbët e malazeztë, por edhe disa individë të kombësisë shqiptare e të asaj myslimane (Qazim Shala, Remzo Çullami etj(, tentuan që këtyre tubimeve e marsheve protestuese t`u jepnin karakter armiqësor. Këto vlerësime ishin paushallë e pa kurrfarë mbështetjeje, e kur vinin nga disa shqiptarë, ato ishin vetëm shprehje e poltronizimit ose e tradhtisë së tyre.
Sjelljet e këtilla të disa individëve shqiptarë i inkurajuan edhe më tepër serbët e malazeztë që të jenë edhe më agresivë në vlerësimin e këtyre ngjarjeve.
Ngecja në dhënien e vlerësimeve zyrtare të këtyre ngjarjeve nga organet kompetente të Kosovës dhe presionet që ndërkohë pasuan ndaj udhëheqjes politike e shtetërore të Kosovës krijuan hapësirë për imponime që ngjarjet e nëntorit 1988 të vlerësoheshin armiqësore dhe që në këtë mënyrë të diskualifikohej një numër i madh i kuadrove shqiptare. Me këtë u mundësua që pa kurrfarë vështirësish të depërtonte në Kosovë politika militante e Serbisë.
Këto tendenca dhe vlerësime të papranueshme me karakter nacional-shovinist nuk mbetën pa u vërejtur nga minatorët e Stari-Tërgut dhe shumë punëtorë të tjerë të kombinatit " Trepça ". Dhe, më 2 e 3 shkurt të vitit 1989, minatorët e minierës " Trepça " të Stari-Tërgut u hodhën në grevë, duke kërkuar që në mesin e tyre të vinte udhëheqja krahinore për t`ua " shpjeguar gjendjen politike agresive në Kosovë ".
Më 4 shkurt 1989 në minierën " Trepça " të Stari-Tërgut erdhën Rrahman Morina, atëherë kryetar e Sonja Shqepanoviq, anëtare e Kryesisë së Komitetit Krahinor të LK të Kosovës, udhëheqësit e komunës së Mitrovicës e të kombinatit " Trepça " e të tjerë.
Edhe kësaj radhe, minatorët e Stari-Tërgut, në tubimin në të cilin merrnin pjesë më se 1000 veta, paraqitën kërkesat e tyre konkrete rreth situatës së krijuar në Kosovë me tubimet e serbëve e të malazezve që pasuan, rreth vlerësimeve paushallë të tubimeve dhe të marsheve protestuese të minatorëve në nëntor të vitit 1988, presionit nacional-shovinist të masmediave të Serbisë për amendamentet kushtetuese, ndërrimin e kuadrove në Kosovë me presion, etiketimeve të kuadrove të kombinatit " Trepça ‘ e të Kosovës, fyerjeve e nënçmimit të shqiptarëve nga ana e disa individëve etj.
Me këtë rast, Rrahaman Morina e të tjerët u premtuan edhe një herë pjesëmarrësve të tubimit se nuk do të ndërrohen parimet themelore të Kushtetutës së vitit 1974, se nuk do të bëhen ndërrime të kuadrove me presion, se Lidhja e Komunistëve të Kosovës ka forcë që ta pengojë fushatën antishqiptare e antikosovare dhe se për të gjitha këto do të merren masa konkrete. U tha publikisht se ngjarjet e nëntorit 1988 do të vlerësohen në mënyrë objektive dhe se nuk do të lejohet që të bihet në gracka të asnjë nacionalizmi. Njëkohësisht u tha se nuk ekzistonin listat e organizatorëve të ngjarjeve të nëntorit 1988 dhe se nuk do të merreshin masa ndëshkuese ngase tubimet ishin shprehje e njëmendtë e situatës në Kosovë.

Keine Kommentare: