Samstag, 17. November 2007

“NËSE VDESIM KËTU, NA SHTINI NË DHE KËTU!”

Veli Osmani

Në horizontin e tetë jemi mbyllur që nga e hëna. Tash jemi të molisur dhe të pafuqishëm për çfarëdo bisede. Jam plak dhe kamë 35 vjet punë në minierë. Mirëpo, një hall i madh na ka ndalur këtu në zgafellë dhe nuk do të dalim në sipërfaqe derisa të pranohen kërkesat tona. Ta dini se derisa Rrahman Morina, Ali Shukriu e Husamedin Azemi të japin dorëheqje, ne të gjallë nuk do të dalim prej këndej, edhe sikur kjo të zgjasë një muaj. Por, druaj se, në qoftë se kjo zgjat vetëm edhe dy ditë, atëherë do të kemi edhe të vdekur.
E ne, minatorët, kemi thënë: në qoftë se vdesim këtu, amanet kemi lënë; na shtini në dhe këtu dhe le të shënohet në histori se ky është rasti i parë që ka ndodhur në rruzullin tokësor. Vallë, a është më i vlefshëm kolltuku i Rrahman Morinës apo jeta e 1.300 minatorëve që po vuajnë këtu! Për këtë ata shokë duhet të përgjigjen politikisht e penalisht, e jo vetëm të japin dorëheqje. A nuk i vjen turp, a nuk ka zemër që nënat tona, fëmijët tanë, që gratë tona qajnë për ne tash pesë ditë? Çdo minutë cingëron telefoni dhe pyesin fëmijët: a e kam gjallë babën, a do të vijë apo nuk do të vijë. Por unë shpesh e kam mbyllur telefonin, sepse këtu janë baballarët e shumë fëmijëve e aq shumë vëllezër e djem nënash. Vetëm në horizontin e tetë janë afro 500 baballarë. Atë duhet ta brejë ndërgjegjja e të thotë; or shokë, vetëm tre njerëz po t`i shihja duke qarë, do të jepja dorëheqje. Ne nuk e kërkojmë kokën e tij. Ai do të gjejë punë…
Shumë nga këta minatorë, kur kanë ardhur këtu, në shtëpi ndoshta nuk kanë lënë as pesë kilogram miell dhe nuk e kanë bërë hesap fare jetën e tyre, nuk kanë pyetur fare se ç`do të bëhet me ta, sepse të gjithë jemi të vendosur se nuk do të dalim prej këndej pa u përmbushur kërkesat tona…
Po e theksoj se pas ardhjes së Slobodan Milosheviqit në funksionin e tashëm, çdo gjë në Jugosllavi është çrregulluar, sidomos pasi erdhi në Fushë-Kosovë dhe iu drejtua të pranishmëve me " vëllezër serbë " duke sjellë drejtpërdrejt ndarjen në baza nacionale. Ai mund t`i drejtohej masës me fjalët: ‘ shokë serbë, shqiptarë…, " dhe të interesohej për hallet e të gjithëve. Domethënë ai është i pari që ka filluar ta ndajë popullin. Gjatë tërë verës, tubimet e serbëve e të malazezëve ai i quajti " tubime të solidaritetit " , edhe pse në këto tubime serbët e malazezët kërkonin armë. Si do të kthejmë tash atë besim, do ta pyesja shokun Slobodan Milosheviq!
Këtu nuk na ka shtyrë vetëm kjo, por edhe tri barrë të tjera: e para – varfëria në Kosovë; pastaj – puna e rëndë këtu, dhe - përkrye të gjithave Milosheviqi na quan irredentistë, edhe pse këtu e kemi derdhur gjakun.

Keine Kommentare: