Të nesërmen e të pasnesërmen, do të thotë më 18 e 19 nëntor 1988, tubimet e minatorëve të minierës " Trepça " të Stari Tërgut vazhduan të mbahen së pari në Prishtinë e pastaj në Mitrovicë.
Minatorët ecën përsëri në këmbë prej minierës " Trepça " të Stari Tërgut deri në pallatin e sporteve " Minatori " në Mitrovicë. Këtu minatorët i përsëritën kërkesat që i kishin paraqitur në pallatin e sporteve " Boro e Ramizi " në Prishtinë. Kësaj radhe, këto kërkesa u përkrahën edhe nga punëtorët e ndërmarrjeve të tjera dhe shumë qytetarë të tjerë të Mitrovicës që morën pjesë në këtë tubim.
E kërkesat e minatorëve ishin të qarta e përmbajtjesore. Minatorët kërkonin të ndërpritej politika diskriminuese e Serbisë ndaj Kosovës e shqiptarëve. U kërkua edhe ardhja e udhëheqësve krahinorë, republikanë e federativë për të dhënë përgjigje direkte në lidhje me fushatën e Serbisë për pezullimin e Autonomisë së Kosovës, ndërrimin e kuadrove udhëheqëse dhe etiketimet e njollosjet e kuadrove, të cilët kishin dhënë kontributin e tyre për realizimin e Autonomisë së Kosovës, që ishte garantuar me kushtetutat e vitit 1974.
Pjesëmarrësve të tubimit protestues në pallatin e sporteve " Minatori " në Mitrovicë iu drejtua Azem Vllasi, atëherë anëtar i Kryesisë së Komitetit Krahinor të LK të Kosovës. Ai kryesisht u pajtua me vlerësimet e minatorëve e të qytetarëve të tjerë dhe , midis tjerash, deklaroi se forcat politike në Kosovë nuk do të lejojnë që të bëhen me presion kurrfarë ndërrimesh të kuadrove e as cenohen parimet e Kushtetutës së vitit 1974. Ai po ashtu tha se nuk do të ketë rrugë tjetër, pos asaj që e ka shtruar Tito dhe Lidhja e Komunistëve të Jugosllavisë.
Paraqitja e Azem Vllasit e qetësoi dukshëm situatën, ngase u mendua se kuadrot kosovare ndoshta do të kishin forcë politike dhe profesionale për ta mbrojtur atë që ishte arritur. Mirëpo, nga paraqitja e shumë individëve mbeti dyshimi se kuadrot ekzistuese nuk do të kishin forcë që ta mbronin pozitën autonome të Kosovës e posaçërisht ta ndërpresin fushatën e Serbisë kundër intelektualëve shqiptarë dhe përgjithësisht kundër popullit shqiptar.
Ndërkohë, vërehej qartë indolence, pasiviteti e dobësia e disa kuadrove shqiptare të Kosovës, por edhe përçarja e mosuniteti i tyre e madje edhe tradhtia e disave prej tyre ndaj parimeve themelore kushtetuese e të dokumenteve të tjera që garantonin Autonominë e Kosovës e pozitën e barabartë të shqiptarëve dhe të drejtat e tyre.
Minatorët, në paraqitjet e tyre, më se një herë theksuan se ata, me punën dhe me djersën e tyre, kanë kontribuar për shkollimin e kuadrove, andaj ishin ofenduese parullat që plasoheshin në opinion se " vetëm shqiptari i pashkolluar është i mirë " dhe i " ndershëm ".
U paraqit në foltore edhe Sanije Dema, nënë e tetë fëmijëve. Ajo foli për diskriminimin e shqiptarëve dhe parullat që dëgjoheshin nëpër tubimet e serbëve e të malazezve. Mes të tjerash, ajo përmendi edhe ofendimet që po i bëheshin nënës shqiptare se ajo qenka shndërruar në " lavatriçe ", megjithatë edhe vetë serbët e dinë se nëna gjithkund gëzon respekt të madh. Paraqitja e kësaj nëne shqiptare në këtë tubim i përforcoi bindshëm minatorët se kërkesat e tyre janë të drejta.
Të bindur se nuk u arrit qëllimi i marshit protestues ditën e parë, minatorët e minierës ‘ Trepça " të Stari-Tërgut i vazhduan marshet e tubimet protestuese në Prishtinë edhe më 18 e 19 nëntor 1988. Pjesëmarrësit e marshit u ballafaquan me shumë probleme, ndër të cilat vlen të përmendet zhbllokimi i një grupi të madh të studentëve e të nxënësve shqiptarë, të cilët i kishte bllokuar policia serbe, përkatësisht jugosllave, e armatosur deri në dhëmbë.
Samstag, 17. November 2007
Abonnieren
Kommentare zum Post (Atom)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen