Samstag, 17. November 2007

KONFRONTIMET ME KUADROT SERBO-MALAZEZE TË KOMBINATIT DHE TË MINIERËS “TREPÇA“

Komiteti i Mbrojtjes dhe i Vet]mbrojtjes Shoqërore të ndërmarrjes së minierës me flotacion " Trepça , të cilin e kryesonte Juliana Gashiq, kryetare e Konferencës Aksionare të Lidhjes së Komunistëve, e cila edhe vetë kishte marrë pjesë në marshet protestuese dhe në tubimet e minatorëve, bëri vlerësimin e marsheve protestuese e të tubimeve të minatorëve. Në mbledhjen e Komitetit, inxhinieri i diplomuar, Milivoje Nedelkoviq, drejtor i organizatës bazë " Hulumtimet dhe punët minerare " kërkoi që këto ngjarje të shpallen armiqësore dhe ndaj disave nga pjesëmarrësit si: Avdi Ukës, Tahir Salihut, Esat Isufit, Jetish Bajramit, Sefedin Istrefit,e të tjerëve, të cilët, si tha ai, i njeh drejtori teknik inxh. Ibush Jonuzi, të merren masa represive dhe të burgosen. Inxhinieri Nedelkoviq kështu kishte vepruar edhe më parë kur ishte burgosur dhe ishte dënuar me burg Nazmi Peci.
Burhan Kavaja, inxhinier i diplomuar i minierave dhe drejtor i ndërmarrjes së minierës me floatacion " Trepça ‘ në Stari-Tërg, i cili njëkohësisht ishte anëtar i komiteteve të mbrojtjes dhe të vetëmbrojtjes shoqërore të Ndërmarrjes dhe epror i çetës së shpëtimit, ishte i informuar mirë për rrjedhën e ngjarjeve dhe së bashku me udhëheqësit e specialistët e tjerë vepronte aktivisht në drejtim të zgjidhjeve optimale dhe në interesin e punëtorëve si në marshet e tubimet protestuese, ashtu edhe më vonë, gjatë grevave të minatorëve. Dhe, aty, ia preu shkurt inxhinierit Nedelkoviq.
Në qoftë se dikush duhet të përgjigjet penalisht dhe të burgoset, atëherë ti duhet të jesh ai, Nedelkoviq, sepse ti po shkakton grindje ndërnacionale e po mbjell urrejtje ndaj shqiptarëve. Për më tepër, edhe në tubimet e serbëve e të malazezve, në të cilat ke marrë pjesë, ke kërkuar armë për të vrarë shqiptarë!
Pas këtij e diskutimeve të tjera objektive e konstruktive mbledhja e Komitetit të Mbrojtjes e të Vetëmbrojtjes Shoqërore përfundoi me konkluzione e vlerësime kryekëput pozitive për marshet e tubimet protestuese të minatorëve të minierës " Trepça " në Stari-Tërgut.
Për marshet e tubimet protestuese të minatorëve të " Trepçës " u diskutua edhe në Këshillin Qendror të Punëtorëve të kombinatit " Trepça ", në Konferencën Aksionare të Sindikatave dhe në Konferencën Aksionare të Lidhjes së Komunistëve të kombinatit. Shumica e anëtarëve të këtyre forumeve i aprovuan vlerësimet e Komitetit për Mbrojtjen e Përgjithshme dhe Vetëmbrojtjen e minierës " Trepça " të Stari-Tërgut dhe informatën e përgjithshme për marshet dhe tubimet protestuese të minatorëve. Mirpo, kuadrot serbe e malazeze, e pjesërisht edhe turke, pa kurrfarë argumentesh, e sulmonin udhëheqjen e kombinatit " Trepça dhe atë të minierës së Stari-Tërgut, e në veçanti kryetarin e Këshillit Punëdrejtues të kombinatit, Aziz Abrashin. Ndër më të zëshmit ishin Milorad Laketiq e Toma Milosavleviq, përfaqësues të minierës " Kopaonik nga Leposaviqi dhe të minierës së Gornji-Milanovcit.
Edhe në tubimet legale të strukturave vetëqeverisëse, partiake e sindikale disa serbë e malazez haptas bënin pyetje: si është e mundur të vijnë udhëheqës në kombinat dhe në minierën e Stari-Tërgut Aziz Abrashi e Burhan Kavaja, madje edhe Xhafer Emini, kur Mitrovica i ka kuadrot e veta? Ata me qëllim " harronin " se pikërisht ne jemi kuadro të qytetit të Mitrovicës, se kemi lindur buzë Ibrit, se jemi rritur e shkolluar në Mitrovicë.
Luhatja e organeve kompetente, në radhë të parë e atyre të Kosovës, për vlerësime objektive, linte hapësirë të zbrazët për manipulime të ndryshme. Serbët e malazeztë e shfrytëzuan këtë vakum dhe luhatje të kuadrove shqiptare për një fushatë edhe më të egër ndaj shqiptarëve në Kosovë. Grupe militante serbo-malazeze dhe disa udhëheqës e funksionarë serbo-malazez por edhe shqiptarë në organe të pushtetit e të Lidhjes së Komunistëve, pastaj disa shoqata njënacionale serbe, si " Bozhuri " etj, të dirigjuara edhe nga pushteti aktual në Republikën e Serbisë dhe disa personalitete e qendra nacional-shoviniste serbe, marshet e tubimet e minatorëve e të punëtorëve, të studentëve e të qytetarëve të tjerë shqiptarë të Kosovës i karakterizuan si veprimtari armiqësore dhe formë e presionit ndaj serbëve e malazezve për shpërnguljen e tyre nga Kosova. Të gjitha këto me qëllim që organet kompetente të Kosovës këto tubime t`i vlerësonin sipas diktatit të Serbisë.
Andaj nuk ishte gjë e rastit që u përpilua lista e ‘ organizatorëve ‘ të marsheve e të tubimeve protestuese të nëntorit të vitit 1988. Kjo listë mund të plotësohej edhe me kërkesën ose insistimin e vetëm një serbi ose malaziasi. Nga përvoja e mëparshme dihej se këto lista përpiloheshin me qëllim të diferencimeve " moralo-politike ‘ dhe burgosjeve masive, natyrisht, të shqiptarëve. Mjerisht në përgaditjen dhe përpilimin e këtyre listave, me diskutimet e propozimet e tyre, kontribuuan edhe një numër i kuadrove dhe udhëheqësve shqiptarë.

Keine Kommentare: