Samstag, 17. November 2007

“SHOKËT E APOSTROFUAR DUHET TË JAPIN DORËHEQJE!”

Gjenerali Mirkoviq

Por bashkëpunëtorët e tij nuk e ndanin mendimin e Kryetarit të Kryesisë. Për më tepër, një oficer i lartë serb reagoi haptas duke thënë:
Ç`kërkoni ju shqiptarët, kur jeni me të drejta të barabarta si të tjerët, madje, deri para pak kohe, edhe kryetarin e Kryesisë së Jugosllavisë e kishit nga mesi i shqiptarëve. (Mendonte për Sinan Hasanin –Shënimi ynë).
Me vetëdije apo pa të, ky epror ushtarak nuk donte ta kuptonte fushatën antishqiptare dhe politikën agresive të Serbisë që çonte drejt shpërbërjes dhe shkatërrimit të Jugosllavisë, e minatorët e " Trepçës " në atë çast ishin pikërisht ata që i mbronin parimet mbi të cilat ekzistonte dhe mund të ekzistonte Jugosllavia e atëhershme.
Gjenerali Stevan Mirkoviq, atëherë kryeshef i Shtatmadhorisë së Armatës Popullore Jugosllave, në diskutimin e tij në këtë bisedë, ndërmjet tjerash, tha:
-Askush nuk ka të drejtë të vihet mbi interesat e klasës punëtore. Andaj, shokët e apostrofuar duhet të japin dorëheqje.
Ndërkaq gjenerali në pension Petar Graçanin, atëherë ministër i Punëve të Brendshme në qeverinë e ish-Jugosllavisë, filloi të tregonte përjetimet e veta në Luftën Nacionalçlirimtare dhe për presionet që gjoja bëheshin ndaj serbëve e malazezëve për shpërnguljen e tyre nga Kosova.
Remzi Kolgeci, pasi foli gjerësisht për angazhimin e tij dhe të tjerëve për nxjerrjen e minatorëve nga miniera, foli për presionin që po i bëhej për t`i nënshkruar dokumentet për dhënien e pëlqimit për zbatimin e masave të posaçme në Kosovë.
Sipas dëshmive të vetë Remzi Kolgecit, kryetari i Kryesisë së ish-Jugosllavisë, Raif Dizdareviq, personalisht kishte bërë presion në Rrahman Morinën që patjetër të jepte dorëheqje.
Për të gjitha rrjedhat e bisedës i njoftuam menjëherë minatorët në minierë. Ata atëherë u pajtuan me qëndrimet e udhëheqësve të tyre dhe në atë moment dukeshin optimistë. Vetëm pritnin rezultatin e kësaj bisede. Mirëpo, përpjekjet që kjo bisedë të jepte rezultate konkrete u mbuluan nga euforia nacional-shoviniste serbe dhe pikërisht Raid Dizdareviq ishte ai që, në emër të Kryesisë së Jugosllavisë, e nënshkroi dekretin për zbatimin e masave të posaçme në Kosovë.

Keine Kommentare: