Samstag, 17. November 2007

FËMIJËT E NXËNËSIT NË MESIN E MINATORËVE

Gjatë ditëve të grevës minatorët e "Trepçës" i vizituan ose iu dhanë përkrahje shumë grupe fëmijës e nxënësish të shkollave të viseve të ndryshme të Kosovës. Derisa minatorët në grevë qëndronin në horizontet e minierës, shumë nxënës thurën vjersha e sajime të tjera për ta, për bujarinë, besnikërinë, vendosmërinë, qëndrueshmërinë dhe virtytet t tyre. Në këtë kohë u shkruan dhe u botuan shumë vjersha, hartime e punime të tjera letrare kushtuar grevave dhe marsheve të minatorëve. Kjo i gëzoi shumë minatorët në ato ditë të vështira dhe iu jepte zemër që të qëndronin krenarë për brezin e ri që po vinte. Ishin këto nxitje e frymëzime për realizimin e idealeve të tyre.
Nxënësit që arrinin të takoheshin me minatorët, lexonin ose recitonin para tyre vargjet e thurura për ta dhe për grevën e tyre. Do veçonim vizitën që nxënëset e Tunelit të Parë Xhezide Ferati dhe Drita Osmani, ua bënë minatorëve ditën e shtatë të grevës. Xhezidja e Drita me përcjellësit e tyre zbritën në horizontin e tetë pa e ditur se aty do ta takonin njërin nga prindërit e tyre. Takimi ishte i prekshëm. Drita e përqafoi babin. Sytë i shkëlqenin. Por këta ishin lot gëzimi e krenarie.
-Jam e lumtur që gjendesh në mesin e minatorëve trima – tha Drita. –Ne të të gjithë krenohemi me burrërinë tuaj...
Inxhinieri Bexhet Aliu tregon për të birin që ishte nxënës i klasës së dytë fillore, i cili, kur paska dëgjuar se minatorët po bëjnë grevë urie, paska refuzuar të marrë ushqimin duke thënë:
-Babi im nuk ha në minierë. As unë nuk dua të ha.
Këso rastesh ka pasur shumë.

Keine Kommentare: