Samstag, 17. November 2007

KËRKESAT E MINATORËVE GREVISTË

Në bisedë me minatorët grevistë zhvilluan me udhëheqjen e tyre u evidentuan kërkesat, të cilat ishin të thjeshta dhe koncize, por, të njohura edhe më parë, vetëm që tash ishin edhe të plotësuara. Ja kërkesat autentike të minatorëve:
"1. Garantimi i themeleve të Kushtetutës të viti 1974. (Qëndrimet e paharmonizuara me amendamentet e Kushtetutës të mbeten ato që janë në fuqi me Kushtetutën e vitit 1974).
2. Të shpallet regjistri i organizatorëve të tubimeve të nëntorit- ngase të gjithë minatorët ishin organizatorë të tubimeve dhe të marsheve protestuese, sepse në mesin e tyre nuk kishte liderë as organizatorë të veçantë.
3. Të merren në përgjegjësi ata të cilët kanë harruar propozimin e ligjit për pensionimin e punëtorëve të arsimit para kohe në Krahinë.
4. Rrahman Morina të ndërrohet nga pozita e kryetarit të Kryesisë të Komitetit Krahinor të LK të Kosovës, sepse nuk e ka mbajtur fjalën që ua ka dhënë minatorëve. Poashtu të japin dorëheqje Ali Shukriu dhe Husamedin Azemi.
5. Të ndërpritet politika e gabuar ndaj popullit shqiptar.
6. Menjëherë të vijë dr. Stipe Shuvari, Slobodan Milosheviq dhe Ali Shukriu. (Minatorët kërkojnë që këtyre t’u flasin drejtpërdrejt për politikën diskriminuese ndaj shqiptarëve, të cilës ata po i kontribuojnë).
7. Nuk ka organizatorë të veçantë, por të gjithë jemi organizatorë.
8. Personat e panjohur në këtë moment të mos hyjnë në zgafelle.
9. Të njoftohen përfaqësuesit e krahinave dhe të republikave për gjendjen në Kosovë."
Me zhvillimin e mëtutjeshëm të grevës, minatorët paraqitën kërkesën dhjetë plotësuese, me të cilën kërkohej internacionalizimi i çështjes së Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Në kuadër të këtyre kërkesave, t’i quajmë kështu, programore, ishin edhe kërkesat që: në Kosovë të fillojë aksioni për pajtimin e gjaqeve dhe të ngatërresave midis shqiptarëve; që Esat Stavileci dhe Syrja Popovci të vijnë në mesin e minatorëve të "Trepçës" në Stari-Tërg, përkatësisht në horizontet e minierës dhe të japin sqarime profesionale në lidhje me amendamentet e propozuara në Kushtetutën e Kosovës të vitit 1974; të vijë në minierë delegacioni i punëtorëve nga Kishnica, Novobërda dhe Elektroekonomia e Kosovës dhe të mos hyjnë në minierë përfaqësuesit e mjeteve të informimit nga Beogradi, Novi-Sadi e Prishtina – në gjuhën serbokroate – ngase "janë në funksion të politikës serbomadhe".
Minatorët kërcënuan se, nëse nuk përfillen kërkesat e tyre, do të fillojnë grevën totale të urisë, por edhe do të bënin vetëvrasje dujke u hedhur kolektivisht në pusin kryesor të minierës.
Kërkesat e minatorëve, të cilat u komunikuan ditën e parë të grevës, ishin objekt i dyshimit të disa elementëve serbomëdhenj dhe të disa udhëheqësve shqiptarë se këto kërkesa nuk ishin të minatorëve, por ishin objekt i manipulimeve johumanitare.
Si përgjigje manipulimeve të këtilla, minatorët e shkruan vetë kërkesat e tyre dhe ua dhanë mjeteve të informimit. (Këto kërkesa, në formë identike, do t’i paraqesin të shkruara dhe të lexuara edhe para dr. Stipe Shuvarit, atëherë kryetar i Kryesisë së Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, i cili, pas shumë kërkesave të minatorëve, erdhi për t’i vizituar në zgafelle dhe – në objektet e minierës).
Në ripërpilimin e kërkesave morën pjesë: Avdi Uka, Jetish Bajrami, Halit Istrefi dhe Veli Osmani në horizontin e tretë, ku edhe u caktuan personat për kujdestari dhe për mbajtjen e rendit. Kishte mendime edhe se duhet të formohet këshilli i grevistëve, të caktohen rendmbajtësit e kujdestarët në horizonte. Mirëpo, për shumë arsye, u vendos që, si zgjidhje e pranueshme, të caktohen vetëm kujdestarët nëpër horizonte.
Rol të rëndësishëm në mbajtjen e rendit e të sigurisë në minierë luajtën kujdestarët e transportit vertikal, si: Jahir Neziri, Jahir Sejdiu, Tafil Fejzullahu etj.
Në fillim të grevës, me minatorët shqiptarë u solidarizuan edhe disa minatorë serbë e malazezë, ndër të cilët ishin Milentije Milentijeviq dhe Dragan Jovanoviq. Por këta patën presion nga bashkëkombësit e tyre dhe dolën nga miniera.
Ditën e parë si edhe më vonë, të gjithë ata që e vizitonin minierën dhe që ishin informuar për kërkesat e minatorëve, nuk ishin të gatshëm të pajtoheshin me kërkesat e minatorëve që të internacionalizohej çështja e Kosovës. Kjo kërkesë ishte e fuqishme dhe minatorët kërkonin që çështja e Kosovës të mos mbetej çështje e brendshme e Serbisë dhe e Jugosllavisë së atëhershme.
Që ditën e parë të grevës, përfaqësuesit e organeve punëdrejtuese e të organizatave shoqërore e politike të Kombinatit, të Komunës së Mitrovicës dhe të Krahinës, u vunë në kontakt me minatorët. Dhe, pasi informoheshin për kërkesat e minatorëve, shumica prej tyre solidarizoheshin me minatorët, i përkrahnin kërkesat e tyre si të arsyeshme dhe u ofronin ndihmë morale e materiale. Natyrisht, kjo përkrahje vinte kryesisht nga kuadrot shqiptare. Përjashtim bënte Bajram Selani, i cili ishte aktivist i Komitetit Krahinor të LK për kombinatin "Trepça".
Prej fillimit të grevës, miniera ishte e mbikëqyrur nga dy-tre e më tepër operativistë të organeve të Sigurimit Shtetëror, të policisë sekrete dhe nga inspektori krahinor i minierave.

Keine Kommentare: