Samstag, 17. November 2007

AS SËMUNDJET E RËNDA E AS VDEKJET NUK I LUHATËN MINATORËT

Në periudhën e zhvillimit të dramës të minatorëve të "Trepçës" në grevën shkurtit 1989 pati edhe pikëllime e gëzime, sëmundje të rënda e vdekje, e disa dasma e gazmende, që duhej të bëheshin ato ditë, u shtynë për ditë më të mira.
Më 23 shkurt 1989 në minierë arriti lajmi se nëna e minatorit Azem Ferati nga fshati Bare kishte vdekur në Pejë. Këtë lajm të hidhur e mori edhe Azemi, por, pa një pa dy, deklaroi para shokëve të vet:
Unë do të rri me ju, e nënën time do të ketë kush ta varrosë...
Megjithatë, me insistimin e shokëve të vet, Azemi, ashtu si ishte, me rrobat e minierës dhe me helmetë në kokë, shkoi në varrimin e nënës. Por, fill pas ceremonialit të varrimit të nënës, ai u kthye dhe iu bashkua shokëve dhe qëndroi në zgafelle deri në përfundimin e grevës.
Minatori Osmani Hoxha e kishte nënën të sëmurë rëndë, para vdekjes. Me insistimin e shokëve, e lëshoi për një orë minierën dhe shkoi për ta vizituar nënën. Por edhe Osmani u kthye shpejt dhe iu bashkua shokëve në grevë.
Minatori Rrustem Voca ishte i sëmurë rëndë, por nuk pranonte të dilte prej zgafelleje.
-Nëse vdes gjatë grevës – iu thoshte Rrustemi shokëve – ju lutëm të më varrosni në punishten 136 të minierës.
Edhe i vdekur Rrustemi nuk donte të ndahej nga shokëve të vet.
Në mesin e minatorëve në grevë kishte edhe shumë raste të tjera, por minatorët nuk donin të tregonin se janë të sëmurë nga frika se shokët e tyre do të mund të bënin presion që të dilnin nga miniera.
Minatorët, të gjithë sa ishin, kishin vendosur të qëndronin deri në fund për realizimin e qëllimeve të tyre. Këtu e mbajti besën që kishte dhënë më parë.

Keine Kommentare: